‘Europa Nostra’ i kthen përgjigje Kurtit dhe Osmanit për Manastirin e Deçanit

09 prill 2021 | 12:50

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani i kanë dërguar një letër Organizatës “Europa Nostra” lidhur me nominimin e Manastirit të Deçanit për programin “Europe’s Seven Most Endangered Monuments (Shtatë monumentet më të rrezikuara në Evropë)”. Në këtë letër nga Osmani dhe Kurti kësaj organizate ia kanë numërtuar pasaktësitë që kanë shfaqur ata lidhur me këtë manastir, e ku ndër të tjera theksohet se ky manastir nuk është monument i rrezikuar.

E kësaj letre të Osmanit dhe  Kurtit i është përgjigjur vet organizata. Nga kjo organizatë është thënë se lista për monumentet më të rrezikuara në Evropë është publikuar dje.

“Ju falënderojmë për letrën tuaj të datës 18 mars, të cilën ju ia keni drejtuar Bordit të ‘Europa Nostra’ si dhe Panelit Këshillëdhënës të programit tonë 7 Më të Rrezikuarat. Dëshirojmë t’ju sigurojmë se i kemi shqyrtuar me kujdes pikëpamjet tuaja sa i përket Manastirit të Deçanit i cili është pjesë e Listës së Monumenteve Botërore në Rrezik dhe i cili ka hyrë në listën tonë të ngushtë të 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Evropë për vitin 2021”, është thënë në përgjigjen e “Europa Nostra”.

Letra e plotë:

E nderuara znj. presidente,

I nderuari z. kryeministër,

Së pari na lejoni t’ju urojmë për zgjedhjen tuaj si presidente, respektivisht kryeministër i Kosovës. Ju urojmë çdo sukses në ushtrimin e përgjegjësive tuaja të rëndësishme në dobi të ofrimit të një të ardhmeje evropiane për vendin tuaj dhe qytetarët e tij.

Ju falënderojmë për letrën tuaj të datës 18 mars, të cilën ju ia keni drejtuar Bordit të “Europa Nostra: si dhe Panelit Këshillëdhënës të programit tonë 7 Më të Rrezikuarat. Dëshirojmë t’ju sigurojmë se i kemi shqyrtuar me kujdes pikëpamjet tuaja sa i përket Manastirit të Deçanit i cili është pjesë e Listës së Monumenteve Botërore në Rrezik dhe i cili ka hyrë në listën tonë të ngushtë të 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Ju lutemi të keni parasysh se lista jonë e sivjetme e 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Evropë do të bëhet publike më 8 prill 2021. Dëshirojmë të kujtojmë se duke bërë publike një listë të tillë vit pas viti, “Europa Nostra” dhe partneri ynë, Instituti i Bankës së Investimeve Evropiane, angazhohemi të veprojmë si katalizatorë për ndryshim pozitiv dhe dialog të kthyer nga e ardhmja i cili është i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar të Evropës.

Në lidhje me sa u tha më lart, e vlerësojmë angazhimin tuaj të fuqishëm për të mbrojtur përparimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Kosovë, që është pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore e Evropës dhe Botës. Ju falënderojmë për ftesën tuaj për të organizuar një takim ku do të diskutonim mënyra për të zhvilluar bashkëpunim në të ardhmen. Shpresojmë fuqishëm që së shpejti do të bëhet e mundur të udhëtojmë sërish dhe të organizojmë një vizitë në Kosovë. Në ndërkohë, ju sugjerojmë të mbajmë një video konferencë virtuale në javët në vijim.

Në kuadër të përkushtimit tonë të fuqishëm për mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Ballkanin Perëndimor, si një komponent jetik i rrugëtimit dhe të ardhmes së tyre evropiane, mirëpresim bashkëpunimin me organe publike dhe private që janë aktive në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë si dhe në të gjitha vendet e tjera në rajon.

Në emër të Bordit të “Europa Nostra”,

Sinqerisht,

Hermann Parzinger, president ekzekutiv

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës ka bërë homazhe në Koshare, në 22-vjetorin…