Europa po mendon të pamendueshmen: kundërsulm ndaj Rusisë
Dronët e Rusisë dhe agjentët e saj po sulmojnë rregullisht nëpër vendet e NATO-s, dhe Evropa tani po bën atë që do të dukej e paimagjinueshme disa vite më parë, po planifikon si të kundërpërgjigjet.
Idetë variojnë nga operacione të përbashkëta sulmuese kibernetike kundër Rusisë, koordinim më i shpejtë dhe më i unifikuar për t’i atribuar sulmet hibride duke treguar menjëherë me gisht Moskën, deri te stërvitje të papritura të udhëhequra nga NATO, sipas dy zyrtarëve të lartë europianë të qeverisë dhe tre diplomatëve të BE.
“Rusët po testojnë vazhdimisht kufijtë tanë. Cili është reagimi? Deri ku mund të shkojmë?” tha ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braže. Nevojitet një përgjigje më proaktive, shtoi ajo për POLITICO. “Dhe nuk janë fjalët që japin sinjal, është veprimi.”
Dronët rusë kanë fluturuar mbi Poloni dhe Rumani gjatë javëve dhe muajve të fundit, ndërsa dronë misteriozë kanë shkaktuar kaos në aeroporte dhe baza ushtarake në gjithë kontinentin. Incidente të tjera përfshijnë bllokimin e GPS, hyrje të avionëve luftarakë dhe anijeve, dhe një shpërthim në një nyje të rëndësishme hekurudhore polake që transportonte ndihma ushtarake për Ukrainën.
“Evropa dhe aleanca duhet të pyesin veten se sa gjatë jemi të gatshëm të tolerojmë këtë lloj lufte hibride, dhe nëse duhet të marrim në konsideratë të bëhemi më aktivë në këtë fushë”, deklaroi javën e kaluar sekretari i shtetit për Mbrojtjen në Gjermani, Florian Hahn.
Sulmet hibride nuk janë të reja. Rusia ka dërguar atentatorë për të vrarë kundërshtarë politikë në Mbretërinë e Bashkuar, është akuzuar se ka shpërthyer depo armësh në Europën Qendrore, ka tentuar të destabilizojë BE duke financuar parti të ekstremit të djathtë, ka zhvilluar luftë në rrjetet sociale dhe ka tentuar të ndikojë zgjedhjet në vende si Rumania dhe Moldavia.
Por shkalla dhe frekuenca e sulmeve të tanishme është e paprecedent. Globsec, një institut kërkimor me qendër në Pragë, ka llogaritur se janë kryer mbi 110 akte sabotimi dhe tentativa sulmesh në Europë mes janarit dhe korrikut, kryesisht në Poloni dhe Francë, nga persona me lidhje me Moskën.
“Bota e sotme ofron një hapësirë shumë më të hapur, madje mund të thuhet kreative, për politikën e jashtme”, deklaroi lideri rus Vladimir Putin gjatë konferencës Valdai në tetor, duke shtuar: “Po ndjekim nga afër militarizimin në rritje të Europës. A është vetëm retorikë, apo ka ardhur koha që të reagojmë?”
Rusia e sheh BE dhe NATO si rivalë apo edhe si armiq, ish presidenti rus dhe aktualisht numri dy i Këshillit të Sigurisë në Kremlin, Dmitry Medvedev, deklaroi muajin e kaluar: “Shtetet e Bashkuara janë kundërshtari ynë.” Megjithatë, Evropa nuk dëshiron luftë me një fuqi bërthamore, prandaj duhet të gjejë mënyrën për t’u kundërpërgjigjur pa kaluar vijat e kuqe të Kremlinit që mund të çonin në luftë të hapur.
Por kjo nuk do të thotë t’i nënshtrohesh, sipas shefit të Mbrojtjes së Suedisë, gjeneral Michael Claesson. “Nuk mund t’i lejojmë vetes të kemi frikë dhe ankth nga përshkallëzimi”, tha ai. “Duhet të jemi të vendosur.”
Deri tani reagimi ka qenë forcimi i mbrojtjeve. Pasi dronët rusë u rrëzuan mbi Poloni, NATO deklaroi se do të rrisë mbrojtjen ajrore dhe atë ndaj dronëve në krahun lindor të aleancës, një qëndrim i reflektuar edhe nga BE.
Edhe kjo po e zemëron Moskën.
Europianët “duhet të kenë frikë dhe të dridhen si kafshë të trashura që çohen drejt thertores”, tha Medvedev. “Duhet të ndoten nga frika duke ndjerë fundin e tyre të afërt dhe të dhimbshëm.”
Ndryshimi i marsheve
Provokimet e shpeshta ruse po ndryshojnë qëndrimin në kryeqytetet europiane.
Pas zhvendosjes së 10 mijë trupave për të mbrojtur infrastrukturën kritike të Polonisë pas sabotimit të linjës hekurudhore Varshavë–Kiev, kryeministri polak Donald Tusk akuzoi Moskën për “terrorizëm shtetëror.”
Shefja e diplomacisë së BE, Kaja Kallas, pas incidentit tha se këto kërcënime përbëjnë një “rrezik ekstrem” për bllokun, duke argumentuar se ai duhet “të ketë një përgjigje të fortë”.
Javën e kaluar ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kritikoi “inerciën” e kontinentit përballë sulmeve hibride dhe publikoi një plan 125 faqesh për kundërpërgjigje. Ai propozoi ngritjen e një Qendre Europiane për Kundërsulme Hibride, një forcë kibernetike me 1 500 persona dhe staf ushtarak të specializuar në inteligjencën artificiale.
“Gjithkush duhet të rishikojë procedurat e veta të sigurisë,” shtoi ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski. “Rusia po e përshkallëzon qartësisht luftën e saj hibride kundër qytetarëve të BE.”
Nga fjalët te veprat
Pavarësisht retorikës së ashpër, mbetet e paqartë se çfarë do të thotë realisht një kundërpërgjigje më muskulare.
Arsyeja lidhet me dallimin mes Moskës dhe Brukselit, ku ky i fundit është i kufizuar nga respektimi i rregullave, sipas Kevin Limonier, profesor dhe zëvendësdrejtor i think tankut GEODE në Paris.
Kjo ngre një pyetje etike dhe filozofike, thotë ai, “A mund të përdorin shtetet e udhëhequra nga sundimi i ligjit të njëjtat mjete, dhe të njëjtat strategji që përdor Rusia?”
Deri tani vende si Gjermania dhe Rumania po forcojnë rregullat që u lejojnë autoriteteve të rrëzojnë dronët mbi aeroporte ose objekte me rëndësi ushtarake.
Shërbimet e sigurisë kombëtare ndërkohë mund të operojnë në një zonë të paqartë ligjore. Aleatë nga Danimarka deri te Republika Çeke lejojnë operacione kibernetike sulmuese. Mbretëria e Bashkuar thuhet se ka hakuar rrjetet e ISIS në vitin 2017 për të marrë informacion mbi një program të hershëm dronësh të grupit terrorist.
Aleatët duhet të jenë “më proaktivë në ofensivën kibernetike,” tha Braže, dhe të fokusohen në “rritjen e ndërgjegjësimit rrethanor, duke bashkuar shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës në mënyrë të koordinuar.”
Praktikisht, vendet mund të përdorin metoda kibernetike për të goditur sisteme kritike për përpjekjet luftarake të Rusisë, si zona ekonomike Alabuga në Tatarstan të Rusisë qendrore, ku prodhohen dronët Shahed, si edhe infrastrukturën energjetike ose trenat që transportojnë armë, tha Filip Bryjka, ekspert i kërcënimeve hibride në Akademinë Polake të Shkencave. “Ne mund të godasim sistemin dhe të ndërpresim funksionimin e tij,” tha ai.
Evropa gjithashtu duhet të kuptojë si t’i përgjigjet fushatave të dezinformimit në shkallë të gjerë të Rusisë me përpjekjet e veta brenda vendit.
“Opinioni publik rus është disi i paarritshëm” tha një zyrtar i lartë ushtarak. “Duhet të punojmë me aleatë që kanë një kuptim të detajuar të mendësisë ruse, që do të thotë se bashkëpunimi duhet të shtrihet edhe në fushën e luftës informative.”
Masat e reja, megjithatë, duhet “të kenë mohueshmëri të besueshme,” tha një diplomat i BE.
Demonstrim force
NATO, nga ana e saj, është një organizatë mbrojtëse dhe heziton të përfshihet në operacione sulmuese. “Përgjigjet asimetrike janë pjesë e rëndësishme e diskutimit,” tha një diplomat i NATO, por “ne nuk do të ulim veten në të njëjtat taktika si Rusia.”
Në vend të kësaj, aleanca duhet të përqendrohet te demonstrimet e forcës që tregojnë unitet dhe vendosmëri, tha Oana Lungescu, ish-zëdhënëse e NATO dhe studiuese në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër. Në praktikë, kjo nënkupton njoftime të shpejta për përfshirjen e Moskës në sulmet hibride dhe stërvitje ushtarake të papritura pranë kufirit rus me Lituaninë ose Estoninë.
Ndërkohë, Qendra e Ekselencës për Kërcënime Hibride në Helsinki, që punon nën mbështetjen e NATO, po “ofron ekspertizë dhe trajnim” dhe po harton “politika për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve,” tha Maarten ten Wolde, analist i lartë në organizatë.
“Pa dyshim duhet bërë më shumë për çështjen e sulmeve hibride,” tha një diplomat tjetër i lartë i NATO, duke përfshirë rritjen e atribuimit kolektiv pas sulmeve dhe sigurimin që “të tregojmë përmes çdo mënyre se jemi të vëmendshëm dhe mund të lëvizim kapacitete në mënyrë fleksibël.”
Politico.eu



