Europoli del me detaje, si u zbulua perandoria kriminale në vlerë 80 milionë euro në Kosovë?
Mesazhet e zbuluara nga platforma e enkriptuar e komunikimit SKY ECC kanë ndihmuar autoritetet evropiane të zbardhin veprimtarinë e një rrjeti të organizuar kriminal me bazë në Kosovë, i përfshirë në trafikim narkotikësh, pastrim parash, keqpërdorim dokumentesh identifikimi dhe armëmbajtje të paligjshme.
Sipas Europolit, hetimi që zgjati rreth tre vjet kulmoi më 9 qershor me një operacion të koordinuar ndërkombëtar, gjatë të cilit u arrestuan pesë persona të konsideruar si pjesëtarë kyç të grupit kriminal. Në aksion u angazhuan rreth 150 zyrtarë të zbatimit të ligjit, të mbështetur edhe nga ekspertë të Europolit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se grupi përdorte platformën SKY ECC për të organizuar dhe koordinuar aktivitetet e tij kriminale në disa vende të Evropës. Sipas hetimeve, qendra e operacioneve ndodhej në Kosovë, prej nga drejtuesit e grupit menaxhonin dërgesat ndërkombëtare të drogës dhe aktivitetet e pastrimit të parave.
Europoli thekson se operacioni i fundit përfaqëson vetëm një fazë të hetimeve më të gjera që kanë në fokus komunikimet e grupeve kriminale në SKY ECC. Deri më tani, në kuadër të këtij hetimi janë identifikuar dhe hetuar 42 persona të dyshuar, ndërsa janë realizuar 76 bastisje në lokacione të ndryshme.
Gjatë operacionit shumëvjeçar, autoritetet kanë sekuestruar asete me vlerë të përgjithshme prej rreth 80 milionë eurosh.
Në këtë aksion ndërkombëtar morën pjesë autoritetet ligjzbatuese nga Belgjika, Franca, Kosova dhe Holanda, në bashkëpunim të ngushtë me Europolin.



