“FABRIKA E SHPIRTIT” – NJË PËRBALLJE POETIKE ME LODHJEN, IDENTITETIN DHE PRESIONIN SHOQËROR

01 gusht 2025 | 11:08

Isuf Sherifi

Me përmbledhjen poetike “Fabrika e shpirtit”, poeti dhe muzikanti Shqipton Rexhaj sjell një vepër të dendur emocionalisht dhe letrarisht. Është një koleksion që është më shumë se poezi – është një protokoll poetik i një klithme të brendshme, një proces i qartësimit të vetvetes.
Tema qendrore si lodhja, identiteti, migrimi dhe presioni shoqëror përshkojnë librin si një fill i kuq – të ndërthurura në metaforën e fuqishme të fabrikës, në të cilën formahet unë-i: nën nxehtësinë shpirtërore, fërkimin dhe lëvizjet e vazhdueshme.

Fabrika e shpirtit – metafora e një hapësire të brendshme

“Fabrika e Shpirtit” e Rexhajt simbolizon atë vend të fshehur brenda njeriut, ku ndjenjat, kujtimet, imazhet dhe vlerat krijohen në vazhdimësi, shqyrtohen, hidhen poshtë apo përbëhen sërish.
Shpirti për të nuk është një reaprt i qetë, por një hapësirë aktive prodhimi – një vend i krijimit, transformimit, përplasjes mes të brendshmes dhe të jashtmes.

Në këtë udhëtim të brendshëm, ku shpirti formohet e riformohet, i përshtatet shumë domethënia e thellë e shprehjes nga Niklaus von Flüe: “Asgjë nuk është më e sigurt se drita e brendshme.”
Rexhaj zbret thellë në vetvete, depërton në shtresat më të fshehta të qenies së tij – dhe kthehet prej andej me dritën e rigjetur.
Këtë dritë e shfaq përmes këtij libri të mbushur me poezi – poezi që janë si shtylla të shpirtit, mbi të cilat mbështetet në rrugën e tij. Një rrugë që nuk është aspak e lehtë.
Ai na kujton se, pavarësisht zhurmave të jashtme dhe sfidave, drita e brendshme mbetet pika më e sigurt dhe më udhëzuese drejt vetvetes dhe qetësisë së brendshme.
Rexhaj tregon se identiteti nuk është një produkt i gatshëm, por rezultat i një përballjeje të vazhdueshme – me biografinë personale, me ndikimet kulturore dhe me pritshmëritë e shoqërisë.

Midis dy botëve – origjina, migrimi dhe përkatësia

Rexhaj, i lindur në Prishtinë (Kosovë) dhe i rritur në Zvicër, e pasqyron në mënyrë poetike biografinë e tij: shkuljen, ndërrimin e gjuhës, përshtatjen e vazhdueshme në hapësira të ndryshme kulturore.
Migrimi nuk idealizohet, as dramatizohet – ai shfaqet si një proces ambivalent: pasurues, por edhe rraskapitës; që ndërton identitet, por gjithashtu e vë atë në provë.
Një nga nxitjet për këtë libër ishte përvoja personale e lodhjes dhe «djeiges» së brendshme ekstreme (burnout) – një «kolaps» që e detyroi të tërhiqej, por që i hapi hapësirën për reflektim. Gjatë kësaj periudhe lindi “Fabrika e Shpirtit” si përpjekje për t’i dhënë formë dhimbjes dhe për të gjetur rrugën e kthimit tek vetvetja.
“Ndonjëherë makina duhet të dështojë, që njeriu të mund të marrë frymë.”, do të kishte thënë Thyll Ergen. Në këtë çast të «shembjes» së brendshme ndriçon një qasje shpirtërore. Rënia bëhet jo vetëm shprehje e rraskapitjes, por prag i ndryshimit, zbrazjes dhe riformimit.

Me një stil të qartë, të dendur dhe ritmik, nga ana formale, poezia e Rexhajt të bind me gjuhë të kthjellët – pa zbukurime të tepërta, por me imazhe të përqendruara dhe shprehje të drejtpërdrejta.
Metafora e fabrikës krijon një botë të dendur imazhesh, ku ndihen tensioni, ritmi dhe dinamika e brendshme.
Mes ashpërsisë dhe ndjeshmërisë, mes ftohtësisë teknike dhe thellësisë emocionale, Rexhaj zhvillon një ton të vetin – i sinqertë pa kompromis dhe njëkohësisht fuqishëm poetik.


Me “Fabrikën e Shpirtit” Rexhaj krijon një vepër që është poetike, politike dhe personale njëkohësisht.
Gjuha e tij të fton të reflektosh – dhe të sfidon të merresh me «fabrikën» tënde të brendshme.
Në një kohë kur shumë njerëz dështojnë për shkak të pritshmërive të jashtme, kjo përmbledhje poetike është një ftesë për kërkim të brendshëm – aty ku dhimbja, kujtimi dhe shpresa bashkohen në forma të reja.
Me këtë libër, Shqipton Rexhaj ka trokitur fuqishëm në portat e botës poetike. Ky libër e bën Rexhajn më të pjekur si poet – dhe ne na pasuron me një vepër me vlerë.

Biografi
Shqipton Rexhaj ka lindur në vitin 1981 në Prishtinë. Përshkak të përndjekjes së prindërve të tij, Kadri dhe Hale Rexhaj, ai, bashkë me prindërit qe detzrzar të strehohen në Zvicër në vitin 1986.
Në moshën 17- vjeçare, themeloi shtëpinë botuese “Generexion”, dhe publikoi në vitin 1997 librin e tij të parë poetik “Rruga e vetmuar”, i pasuar nga “Atdheu i të pastrehëve” (2004). Libri «Fabrika e Shpirtit» është libri i tij më i ri.
Nën emrin artistik REXEYE, ai është zhvilluar edhe muzikalisht: në vitin 2006 doli me një album, ndërsa në vitin 2013 mori pjesë në zgjedhjen paraprake zvicerane për Eurovisionin bashkë me Dave Fryman (DFREX) – duke përfaqësuar Zvicrën.

Ndërmjet viteve 2020 dhe 2025, ai publikoi disa single, si dhe një trilogji përmbyllëse në formë EP-je: 1986, «Eifach Toni» dhe III – përfshirë këtu edhe këngën “Stay” në shkurt 2025, me tekste që flasin për forcën e brendshme dhe vetë-pohimin.

Në vitin 2005, mori «ÇMIMIN PËR MBËSHTETJE KULTURORE TË KANTONIT ST. GALLEN.»

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fenerbahçe ka zyrtarizuar transferimin përfundimtar të mbrojtësit sllovak Milan Skriniar.…