Fadil Fazliu: Jusuf Shalaku-Cufa ishte njeri i urtë, gjakftohtë, trim e luftëtar i rrallë i UÇK-së

04 tetor 2023 | 19:22

(Me rastin e 16-vjetorit të vdekjes së luftëtarit të lirisë Jusuf Shalaku-Cufa)

Sa herë që vjen muaji tetor, ne të gjallët, do ta përkujtojmë me respekt të veçantë luftëtarin e palodhur për liri, Jusuf Shalakun – Cufën.
Ta përkujtosh Cufën, do të thotë të marrësh mësim nga puna e palodhur e tij; do të thotë të ecësh pa hamendje në rrugën e tij të lavdishme.
Aty ku ishte rreziku më i madh, aty ishte Cufa, tamam si një uragan i pandalshëm. Kujdesej për sigurimin e armatimit, për strehimin dhe shoqërimin e shokëve ilegalë nëpër baza të ndryshme, për sigurimin e ushqimit dhe barnave për ushtarët e UÇK-së.
Për shkak të punës dhe shkathtësisë së tij, emërohet përgjegjës i logjistikës në guerilen BIA, e cila simbolizonte tri inicialet e dëshmorëve të kombit: Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani.
Lufta sa vinte e po bëhej edhe më e ashpër. Cufa ishte gjithnjë në ballë të kësaj lufte. Mori pjesë në shumë aksione luftarake dhe s’u tremb asnjëherë. Ishte kudo ku e kërkonte lufta, në Prishtinë, Llap, Gollak e Karadak. Këto lëvizje i bënte në kohët më të vështira dhe me pushkë në dorë. I gatshëm të merrte pjesë në çdo aksion, sado i vështirë të ishte. Guximi i madh dhe trimëria e tij të bënin për vete. Cufa shpesh e shoqëronte dëshmorin Bahri Fazliun në emisione shumë të rëndësishëm ilegale.

Lavdi jetës dhe veprës së luftëtarit të lirisë, Jusuf Shalaku – Cufa.

Autori është vëllai i dy heronjve të Kosovës, Fahri e Bahri Fazliu

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Mal të Zi…