
Fadil Fazliu telefonon nga burgu i Hagës për përvjetorin e vëllait të tij, heroit Bahri Fazliu
Sot është shënuar 27-vjetori i rënies së heroit Bahri Fazliu, por këtë përvjetor vëllai i tij Fadil Fazliu po e përjeton në Hagë, ku po mbahet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara.
Fadil Fazliu ka telefonuar nga burgu i Hagës për përvjetorin e vëllait të tij, duke thënë: “Lavdia u takon atyre që ranë për këtë vend”.
“Një zë nga larg, një kujtim që s’fiket… Sot, në përvjetorin e rënies së Bahri Fazliut, Hero i Kombit, nga burgu i Hagës telefonoi vëllai i tij, Fadil Fazliu. Larg atdheut, larg familjes, larg tokës për të cilën luftuan bashkë, larg varrit të tij. ‘Lavdia u takon atyre që ranë për këtë vend’, tha ai me zërin që mbante dhimbjen e mungesës, por edhe krenarinë e pathyeshme për sakrificën. Kanë kaluar 27 vite, por plagët e kohës nuk shërohen lehtë. Fadili është ende në Hagë, në pritje të drejtësisë. Liri për Fadil Fazliun. Drejtësi për çlirimtarët! Nderim i përjetshëm për dëshmorët e kombit!”, ka shkruar në “Facebook” Fahri Fazliu i ri, djali i Fadil Fazliut.