Fadil Muriqi i brengosur për rastin e Vedat Muriqit, godet disa
Kombëtarja e Kosovës ishte shumë afër Kampionatit Botëror në futboll, por fati sportiv ia ktheu shpinën në ndeshjen finale të play-off-it në përballje me Turqinë ku pësuan humbje me rezultat 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Një fitore ishin larg Kampionatit Botëror, por kësaj radhe fati ishte në anën e turqve.
Miliona shqiptarë e përcollën këtë ndeshje me emocione të mëdha deri në Australinë e largët.

Foto: Fadil Muriqi
Legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Muriqi, ka treguar se si e ka parë ballafaqimin mes Kosovës dhe Turqisë.
“Para së gjithash, nga dëshira më e përzemërt i përgëzoj djelmoshat për kontributin që dhanë gjatë këtyre viteve. Ishte një moment mjaft i vështirë, por edhe historik për ne që të kualifikohemi në Kupën e Botës. Fati sportiv e deshi që Turqia të fitojë me rezultat 1:0 në Prishtinë. Djelmoshat na bënë krenarë me lojën e tyre. Duhet të cekim momentet kryesore, si loja kundër Sllovakisë në Bratislavë, ku treguan lojë fantastike, të guximshme dhe cilësore. Shpresa ishte edhe ndaj Turqisë, ku u angazhuan për 90 minuta, si rasti i Fisnik Asllani, i cili e goditi traversën dhe sikur të shënonte për 1:0, çdo gjë do të ishte në favorin tonë. Futbolli i ka këto, duhet të kesh fat dhe guxim për të kaluar edhe sfida të tilla. Të gjithë e kemi pritur që Botërori të na presë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por fati e deshi kështu”, tha Muriqi për gazetën “Bota sot”.
Muriqi theksoi se djelmoshat tanë treguan lojë cilësore dhe se rastet nuk munguan, siç e ka përmendur traversën e Asllanit në minutën e 29-të.
“Loja ishte cilësore, atmosfera fantastike. Të gjithë ishin të angazhuar, që nga Federata e Futbollit e Kosovës për organizimin, po ashtu publiku dha përkrahje jo vetëm në stadium, por edhe në qytete e në gjithë Kosovën dhe kudo që jetojnë shqiptarët, deri në Australi”, nënvizoi ai.
Kapiteni i gjeneratës së artë të Prishtinës u shpreh i brengosur për një çështje që ka dëgjuar dhe lexuar lidhur me sulmuesin më të mirë të Kosovës, Vedat Muriqin.
“Më brengos vetëm një gjë, disa simpatizues dhe njerëz që nuk merren aq shumë me futboll, i quajnë tradhtarë këta djem. Më brengosi që dikush ka shkruar për Vedat Muriqin se është turk dhe e ka shitur lojën. Vedat Muriqi, që nga fillimi së bashku me shokët e tij si Amir Rrahmani, Fisnik Asllani e të tjerë, dhanë gjithë kontributin e tyre dhe arritën deri në finale, duke tejkaluar pritshmëritë. Nuk do të doja që të transmetohen komente të tilla dhe t’i bëjnë nervozë lojtarët tanë apo t’ua humbin shpresat, sepse është Kampionati Evropian dhe mund të arrijnë rezultate të mira. Ai që e ka quajtur Muriqin gjysmë turk dhe që e ka shitur lojën, nuk ka lidhje me futbollin. Dikush të ofendojë nuk është e mirë. Në popull thonë se nuk ka mal pa ujk ose pa kafshë. Vedati e flet gjuhën shqipe, spanjolle dhe angleze dhe është shumë inteligjent. Ndoshta dikë e ka brengosur që Muriqi nuk e ka folur gjuhën e tij, gjuhën serbe. Kontributi i federatës dhe i secilit është i madh dhe ashtu siç i ka hije”, theksoi Muriqi.
Ai shtoi se momentet emocionale janë të shumta kur sheh reagimin e tifozëve.
“Është e prekshme kur i sheh fëmijët dhe të moshuarit duke qarë për suksesin tonë. Çdo lojtar ka pasur dëshirë të fitojë dhe ka dhënë kontribut të madh për Kosovën që t’i gëzojë familjet tona, baballarët, gjyshit e stërgjyshit në trojet tona. Ofendimet nuk janë të mira, sepse mund t’ua humbin lojtarëve vullnetin dhe respektin, megjithëse ata janë lojtarë fantastikë dhe kontributi i tyre është shumë i madh. U dëshiroj lojtarëve shëndet dhe suksese në klubet ku luajnë”, u shpreh ai.
Mungesa e kapitenit Amir Rrahmanit padyshim ishte e madhe në duel me turqit.
“Problem ishte mosluajtja e Rrahmanit, i cili ishte i lënduar. Megjithatë, përkundër mungesës së tij, djemtë treguan lojë të shkëlqyer. Kanë luajtur shumë mirë Dion Gallapeni, Mërgim Vojvoda, Fisnik Asllani, Veldin Hoxha dhe të gjithë të tjerët, pa dallim. E ardhmja e tyre është shumë e mirë dhe iu dëshiroj suksese. Sigurisht edhe ngarkesa e lojës ka ndikuar sipas eksperiencës sime. Ka presion dhe frikë, por kur dalin në terren dhe e shohin atmosferën, angazhimi i tyre është maksimal. Askush nuk mendon gjë tjetër përveç fitores dhe i kryejnë detyrat me përpikëri që ua jep shtabi teknik. Çdo njëri lufton për të përfaqësuar shtetin sa më mirë”, përfundoi legjenda Muriqi.



