Faik e Besim Ukëhaxhaj, rënia dhe përkujtimi

02 qershor 2018 | 09:28

Shkëlzen Ukëhaxhaj

Sot është 2 qershori. Këtë mund ta dinë të gjithë njerëzit e kësaj bote, por mund të mos e dinë ata që s’kanë të bëjnë asgjë me këtë datë, ose nuk i lidh asgjë me këtë datë. Pra, ata janë indiferentë dhe jeta e tyre vazhdon si rrjedha e një lumi të qetë e i patrazuar.

2 qershori ka një kuptim, për ata njerëz që ua kujton qershorin e vitit 1998, tanimë të largët. Janë ato ditë të fundmajit dhe fillimit të qershorit, ku në Deçan, Carrabreg e rrethinë u zhvilluan luftime të ashpra midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë serbe në ofensivën e asaj vere.

Kishte kohë që në Carrabreg ishte pozicionuar UÇK-ja dhe për ushtrinë serbe ajo rrugë ishte bërë e pakalueshme. Carrabregu, një fshat buzë qytezës së Deçanit, shtrihet në të dy krahët e rrugës magjistrale për në Gjakovë. Andaj për të shkuar në Gjakovë e fshatrat përreth, ushtrisë serbe i duhej për ta asgjësuar fortesën e UÇK- së në këtë fshat “rebel”. Ushtria serbe kishte vendosur ta shpërthente fortesën e UÇK-së, në anën tjetër edhe UÇK-ja ishte e vendosur për të mos bërë asnjë hap prapa. Ajo, ushtria serbe, do të përdorte gjithë armatimin e saj në dispozicion, nga armët e lehta e deri tek ato të sofistikuarat, duke mos kursyer as ato fluturueset, helikopterët.

Në anën tjetër djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me armët më të lehta të kohës, si kalorësit e dikurshëm të Skënderbeut, kishin vendosur për ta bërë vdekjen,por jo t’ia kthenin krahët ushtrisë serbe. Ato ditë kishim edhe humbje të mëdha, kishin rënë dëshmorë djemtë më të mirë, kishim të plagosur lehtë e rëndë. Këtu po nënvizoj, se po ato ditë, në mbrojtje të pikës së UÇK-së në shkollën fillore të Carrabregut, plagoset rëndë vëllai i Faikut dhe natyrisht kushëriri i Besimit, Isuf Ukëhaxhaj, i cili në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e UÇK-së në Gllogjan, pas tri ditësh, merr lajmin e hidhur për rënien edhe të vëllait, Faikut dhe kushëririt, Besimit. Andaj këto ditë, në këtë vit jubilar, për qëndresën e atij viti po bëhen përkujtime në nderim të veprës së tyre. Prandaj, pikërisht për nga numri i të rënëve, cilësisë së luftës së atyre djemve dhe rëndësisë që kishte mbrojtja e asaj “fortese” të UÇK-së. Kjo betejë një ditë do të zë vend në analet e historisë. Edhe pala tjetër kishte humbjet e saj të mëdha, por ne sot jemi në një ditë përkujtimi për dëshmorët tonë, e kjo punë le t’u mbesë historianëve për ta gjurmuar.

Në momentet e rënies së Faikut dhe Besimit nuk ka pasur dëshmitarë, përveç oshtimave të armëve nga tëdyja anët që janë dëgjuar që larg. Dëshmitë që përcaktojnë rënien e tyre heroike janë sasia e gëzhojave të gjetura dhe të mbledhura nga nëna e Besimit, si dhe trupat e atyre dy kreshnikëve.

Nuk mund ta kapërcejnë 2 qershorin e pa iu kujtuar ajo ditë të gjithë atyre që luftuan dhe ishin bashkë gjatë asaj ofensive të përgjakshme. Ata medoemos e kujtojnë se ishin në vijën midis jetës dhe vdekjes, vdekja nuk ishte më larg se këmisha që mbanin në trup; kujtesa për trimat që, ata kishin njohur, i bën krenarë. Krenarëjanë, edhe për atë se ishin pjesë e asaj historie, veç fati ka bërë që ata të jetojnë. Në këtë mënyrë mund t’u përcjellin gjeneratave të reja se në Kosovë ishte zhvilluar luftë për ta ndjekur pushtuesin shekullor. Në saje të asaj lufte, për të cilën duhet të jemi krenarë të gjithë shqiptarët, sepse të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre në një mënyrë a tjetër, e kështu sot jetojmë të lirë në shtetin e Kosovës.

Kurrsesi nuk mund ta kapërcejnë 2 qershorin pa e kujtuar familjarët e të rënëve, Faikut dhe Besimit. Fëmijët e tyre tani janë të rritur, janë të martuar, bile edhe prindër ndonjëri nga ata. Por, njëzet vjetët e kaluara pa praninë e prindit kanë qenë shumë të vështira. Në secilin hap të jetës së tyre iu ka munguar mbështetja e prindit. Iu ka munguar qortimi kur kanë bërë ndonjë gabim dhe këshilla kundrejt qortimit se si ecet më mirë e më lehtë në jetën plot me barriera të kohës në të cilën po jetojmë. U ka munguar mbi të gjitha lëvdata dhe përqafimi atëror, kur kanë marrë notë të mirë në shkollë, sidomos kur kanë marrë ndonjë hap të guximshëm që doemos ka qenë hap prosperitiv për jetën e tyre. Por, në fund ata dhe gjithë bijë e bijat e të gjithë dëshmorëve, tanimë të rritur e të pjekur për jetë, janë të vetëdijshëm se ky është çmimi i lirisë të cilën e jetojnë dhe, për këtë fakt, janë krenarë me etërit e tyre. Ata po, por ne të tjerët, a jemi të vetëdijshëm pas plot 20 vjetësh, se pa luftën dhe rëniet heroike të këtyre kreshnikëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anekënd trojeve shqiptare, Kosova sot nuk do të ishte e lirë, nuk do të votohej për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetar e kryeministër të Kosovës, por për Kuvendin e Republikës së Serbisë…? Ndonëse nënkuptohet përgjigjja, nuk mund të mos nënvizoj që pikërisht ata që gëzojnë postet nëpër institucionet e vendit, të gjithë ata që marrin rrogë nga ky shtet i ri, i lodhur e anemik, duhet t’i vejnë gishtin kokës dhe të jenë të vetëdijshëm se sa e shtrenjtë ishte liria jonë. Për ata që mendojnë se nuk është kështu, çuditërisht, por ka, atëherë unë po mjaftohem t’u them se edhe sot më2 qershor, pas njëzet vjetësh, Serbia mendon se nuk e ka humbur Kosovën apo ndonjë pjesë të saj.

Ne të gjithë kemi kaluar nëpër shkolla dhe kemi shfletuar shumë faqe librash. Ne kemi parë fotografi dhe kemi lexuar për protagonistë të ngjarjeve historike, kështu është tentuar që truri ynë të fokusohet aty dhe jashtë asaj hapësirë e papërfytyruar. Kjo gjendje psikologjike të lë përshtypjen se kjo është historia dhe pikë. Këta kryepersonazhe, protagonistë, që jemi mësuar t’i përfytyrojmë përmes fotografive të shumta, filmave e dokumentarëve e kanë pasur rëndësinë e tyre e kjo nuk mohohet, për më tepër për një numër të konsiderueshëm, pa ata, historia e Kosovës nuk do të ishte kjo. Unë dhe shumë të tjerë, të cilët gjykojnë me kokën e tyre, themi jo.

Ka edhe një të vërtetë tjetër dhe lexuesi apo qytetari i këtij vendi duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Historinë e vërtetë të Kosovës e kanë bërë njerëz që kanë punuar dhe vepruar çdo ditë të jetës së tyre, deri te rënia me plot nder për Kosovën. Kjo rrugë, e cila ka qenë vërtet e gjatë dhe e mundimshme e me plot sakrifica, e jo vetëm për ata vetë, por për mbarë familjen. Për një numër të konsiderueshëm familjesh kjo rrugë ka qenë jo më e shkurtër se gjysmëshekulli përpjekje e veprimtari me plot sakrifica për këtë vend. Këta nuk janë pak, janë një armatë e tërë. Kjo histori është e fshehur nga mediat, fotografitë dhe dokumentarët. Kush janë dhe cilët janë u takon historianëve të nxjerrin të dhënat nga thellësia e harresës për ta kompletuar historinë tonë të vërtetë. Në këtë mënyrë do t’u shpaguhej, sadopak, ai mund i pashpagueshëm.

Një përkujtim në datën e rënies, një buqetë me lule dhe përulje para varrit, dëshmorët nuk e pranojnë për nderim. Njëzet vjet, sot, pas rënies, Kosova nuk është ajo që ata e kanë dëshiruar, andaj ata me heshtjen e tyre e injorojnë këtë nderim. Po të ngrihen dëshmorët dhe të shohin në TV një ditë pune të Kuvendit të Kosovës, ashtu siç e shoh unë dhe mijëra e mijëra qytetarë, kur deputetë nga të gjitha anët dhe krahët politikë ngrihen dhe akuzojnë njëri-tjetrin për milionat e vjedhur nga fondet e mbledhura nga bashkatdhetarët në mërgim për të ndihmuar dhe shpejtuar çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit pas lufte; kur akuzojnë njëri-tjetrin se janë bërë milionerë dhe multimilionerë në supe të Kosovës; kur ata për të qeverisur për katër vjet bëjnë marrëveshje e konsensuse të çuditshme e gjëra të tjera të ulëta, kishin për të rënë në heshtjen e dhimbjes krenare dhe do të shpreheshin me zërin e Pashkë Vasës: Ah Kosovë, e mjera Kosovë!

Që ka vend për të kritikuar për rrugëtimin tonë të gjatë këtyre 20 vjetëve, kjo nuk diskutohet dhe nuk i vihet asnjë pikëpyetje. Kosova nuk e ka identitetin autoritativ të një shteti para bashkësisë ndërkombëtare. Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi nuk punojnë plotësisht me kokën e tyre, dirigjohen si orkestra nga dirigjenti. Gjatë rrugës së këtyre 20 vjetëve kanë ndodhur gabime, për këtë jemi të vetëdijshëm. Përkundër kësaj politikanë dhe “diplomatë” tanë kanë bërë edhe libra të vëllimshëm për të argumentuar atë mal me “suksese” në këta 20 vjet shtet dhe dhjetë vjet pavarësi. Ky mal “suksesesh” nuk mbulon dot ata grumbuj me plot gabime domethënëse dhe esenciale për Kosovën, e kjo para dëshmorëve, e sot pikërisht, para Faikut dhe Besimit, na bënë të ulim kokën. Por qëllimi ynë, sot, nuk është të kritikojmë, por të përkujtojmë.

Pra, sot, më 2 qershor, për çdo vit, ne kujtojmë rënien e Besimit dhe Faikut. Përkujtojmë me pietet jetën e tyre të shkurtër, shumë të shkurtër, dhe rënien e tyre heroike për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Rënia e tyre hapi rrugën e perspektivës të fëmijëve tanë në Kosovën e pashpresë të atyre ditëve. Unë, autori i këtyre rreshtave, kujtoj Faikun dhe Besimin që nga rinia e tyre e hershme, e kujtoj shpirtin e tyre luftëtar. Edhe pse ishin rritur dhe zhvilluar bashkë, valët e jetës i kishin drejtuar rrugëve të ndryshme. Përderisa Besimi pas dy vjetësh gjimnaz kishte vendosur ta merrte drejtimin dhe shkollimin për hoteleri dhe turizëm, Faiku, ndërkohë, pas gjimnazit kishte ëndërruar për të studiuar. Rruga e thellimit të dijes për Faikun ishte ndërprerë në vitin e tretë të gjimnazit më 1982. Ai kishte organizuar një grup shokësh, emrat e të cilëve në këtë rast më duhet t’i lë anash, për të bërë një demonstratë në Deçan, për t’i përkujtuar demonstratat e vitit 1981, me ç’rast ishin burgosur një numër i konsiderueshëm i nxënësve dhe profesorëve të Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”. Pas marrjes në pyetje në hetuesi, disa shokë të Faikut mbahen në burg, e natyrisht edhe ai si iniciues dhe organizues. Si rrjedhojë e kësaj, pas burgut, atij iu kishin mbyllur dyert e Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, pra ishte përjashtuar. E dhimbshme për të, e dhimbshme për familjen dhe shoqërinë e tij. Megjithatë, u gjet një rrugë për ta zhvilluar shkollimin. U regjistrua në Shkollën e Mesme Ekonomike në Pejë, të cilën edhe e ka kryer me plot sukses. Ai tanimë nuk ishte adoleshent, ishte pjekur dhe i përgatitur për rrugën e vështirë të jetës. Faiku shkon në Pejë si bir i një familjeje të burgosurish politikë. Xhaxhai, Hasan Ukëhaxhaj, i dënuar 11 vjet burg, si profesor i Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” dhe anëtar i organizatës politike ilegale LNÇKVShJ e udhëhequr nga atdhetari i madh Jusuf Gërvalla. Gjithashtu, edhe vëllai i tij, Isufi, ishte i arrestuar dhe i burgosur për veprimtarinë e tij ilegale. Edhe ai vetë, gjithashtu. Me këtë bagazh ai shkoi në Pejë ku shumë shpejt e gjeti veten mes shokësh dhe vazhdoi rrugën e trasuar të ilegales.

Meqë jam rritur me të dhe pranë tij, mund ta kujtoj çdo ditë të jetës që kemi kaluar bashkë. Mund të shkruaj dhjetëra e qindra faqe për virtytet e tij si njeri, pa e tepruar, them se mund të shkruaj libër për punën dhe veprimtarinë në të mirë të çështjes kombëtare. Sidomos për vitet 1988, ’89 dhe ’90-të, në të gjitha ato demonstrata, çdo ditë dhe çdo kund, pa kursyer asgjë nga vetja e tij, shumë herë edhe në rrezik për jetë, e prapë s’ndalej dot. Kujtoj shumë histori që tregojnë karakterin e tij e të papërkulur. Por, çuditërisht, nuk më kujtohet asnjëherë të vetme si rrahagjoks. Për këtë veti të tij të veçantë, besoj se do të flasin ndonjëherë edhe shokët e tij, me të cilët kishte kaluar momente që përshkruhen vetëm nga shokët.

Kujtoj e rikujtoj shumë vite e ngjarje bashkë me këta dy dëshmorë. Por, s’mund të kujtoj ngjarje nga ato ditë të luftës së madhe të vitit 1998, sidomos 2 qershorin e atij viti. Rrugëtimi i jetës në ato vite drejtohej nga momentet dhe jo dëshirat, prandaj kisha lënë atdheun disa vite më para. Arsyet janë të kuptueshme, prandaj nuk e shoh të nevojshme t’i nënvizoj.

Por Besimi dhe Faiku, siç e thamë më lart, ishin rritur bashkë në Carrabreg dhe kanë qenë, përveçse kushërinj, edhe shokë të mirë. Dhe lufta i gjeti po aty bashkë. Diçka më ngjanë si në legjenda. Ata ishin dy kundrejt shumë ushtarëve që ishin fshehur e përgatitur për të gjuajtur në luftëtarët e UÇK-së, si një lloj prite, që të kujton heronjtë e vigut. Si duket ata ia kishin ruajtur shpinën njëri-tjetrit deri në momentin e rënies dhe vetëm askush s’e di cili kishte rënë i pari dhe cili kishte provuar t’i merrte hakun për shokun – vëlla. Një gjë dihet: kishin rënë bri njëri-tjetrit.

Në rreshtat e mësipërm pata nënvizuar, se është punë e historianëve për të kërkuar dhe për të gjetur ata bijë e bija që kanë punuar gjatë gjithë jetës derisa në fund kanë dhënë edhe jetën e tyre për Kosovën. Ky shkrim-përkujtim do të doja të ishte një ndihmë modeste për historianët e ardhshëm, të cilët besoj se do ta kompletojnë historinë që do të mbetej e zbehtë pa emrat e atyre që bënë historinë, e ishin pa bujë. Faiku ishte ushtar i asaj armate që kanë vepruar një jetë të tërë për Kosovën, i takon atij rrugëtimi të gjatë me sakrifica deri në rënie me vetëdije të plotë. Mund të jem i gabuar për shkak të informacionit, por nuk më ka rënë të lexoj gjëkundi se, përveç Faikut, këtu mund të shprehemi fatmirësisht, nuk kemi ndonjë dëshmor në Komunën e Deçanit të jetë pjesëtar i asaj veprimtarie të shquar ilegale të fillim viteve ’80-ta.

Në fund dhe jo përfundimisht, në këtë 2 qershor rënien e Besimit dhe Faikut nuk mund ta quaj rënie. Ata të dy dhe gjithë dëshmorët anekënd trojeve shqiptare janë ngritja dhe shkëlqimi i historisë sonë shqiptare.

I përjetshëm kujtimi për dëshmorët!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mbi vendin tonë do të jetë mot kryesisht me…