‘Fake news’ pushtojnë Kupën e Botës: Më shumë lajme, foto dhe video të rreme se kurrë më parë
Spektakli, rekordet dhe magjitë e Lionel Messit dhe yjeve të tjerë të futbollit kanë shtuar entuziazmin e tifozëve për Kupën e Botës 2026.
Megjithatë, krahas atmosferës festive, ekspertët e sigurisë kibernetike dhe monitoruesit e agjencive qeveritare po vëzhgojnë një fenomen shqetësues. Bëhet fjalë për përhapjen e lajmeve, fotove dhe videove të rreme që po qarkullojnë gjatë këtij Botërori, duke mashtruar tifozët në mbarë botën.
Shkaku kryesor i këtij fenomeni është përdorimi masiv i inteligjencës artificiale (AI). Viktima të dezinformatave nuk janë bërë vetëm përdoruesit e rrjeteve sociale, por edhe tifozët që kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Gjatë Kupës së Botës në Katar, katër vjet më parë, mashtrimet kufizoheshin kryesisht në faqe të rreme të internetit dhe bileta të falsifikuara. Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike kanë zbuluar se këtë vit fenomeni është zgjeruar ndjeshëm, pasi janë krijuar portale mashtruese që imitojnë faqet zyrtare të shitjes së biletave.
Po ashtu, në rrjetet sociale po qarkullon një numër i madh fotosh dhe videosh të krijuara me inteligjencë artificiale, ku shfaqen futbollistë të njohur dhe tifozë në situata tërësisht të fabrikuara.
Ndër rastet që kanë tërhequr më shumë vëmendje është ai i një tifozi gjerman, i paraqitur në mënyrë të rreme si një sozi e Adolf Hitlerit, si dhe rasti i një influencereje nga Miami, e cila u shfaq në tribunë në një video të manipuluar, duke bërë që shumë përdorues të fokusoheshin tek ajo dhe jo te ndeshja.
Specialistët u bëjnë thirrje tifozëve të jenë vigjilentë dhe të verifikojnë informacionin që shohin në internet, në mënyrë që të dallojnë faktet nga trillimet dhe të mos bien pre e mashtrimeve.



