Faktet historike si “premiera stinore” në poezinë e Arif Molliqit

04 shkurt 2026 | 10:40

EMI KROSI

Poezia shqipe e Kosovës po merr një kthesë të re, atë të postmodernes. Në vitet ’70-’80 evolucioni modern i poezisë së Kosovës me E. Mekulin, A. Podrimjen etj., kishte kohë që ishte pjesë e arealit të poezisë moderne evropiane. Por, viti 1990 e riktheu atë prapë në shtratin e saj liriko-epik.

Shumë poetë të Kosovës ende ligjërojnë për/mbi elementët e çlirimtarëve: si UÇK-ja, Jasharët, Rugova etj., që herë-herë u del nga duart dhe bëhet “një çorbë e prishur”, duke u mbërthyer pas “lavdisë së rrejshme” apo si atdhetarë të shtirur dhe punëbërës për nevojat e xhepit. A është e gabuar të shkruash për atdheun dhe lirinë? Askurrë! Por, këto rikthime duhet të kenë:

a) narrativa si shtresë poetike sa më afër vërtetësisë,

b) “abuzimi” me epikën, si topikë rrëfimtare dhe jo si narracion surrogat,

c) prania e kohës historike si primat letrar, jo si keqpërdorim historik.

Por ka dhe poetë si Arif Molliqi që shkruan një lloj tjetër poezie, të çliruar nga ideologjia e një atdhetarizmi “të tredhur”, ku tashmë letërsia e ka flakur atë lloj domeni si të dëmshëm duke i shkërmoqur vlerat më të epërme të letërsisë, sidomos rrëfimit fiksion në poezi dhe prozë. Libri i Molliqit “Premiera e një pranvere” ndahet në këto pjesë: “Në fund të kopshtit”, “Natë në Bllacë”, “Lindim dhe vdesim për ty”, “Gjithçka prej fillimit”, që i qasen kohës pa përmendur kohën historike. Mungesa e faktit historik formëson një narracion më të thellë përmes këndvështrimeve dhe një narracioni të rrallë. Vargjet: të zezë si futa/edhe gjurmët/edhe ulërimën/të zeza i kanë/sjellin futën, poezia: “Korbat”, përmes krahasimit, na rrëfen gjithë fabulën e poezisë. Krahasimi me korbin është e keqja që ka pushtuar vendin dhe atdheun e tij. Por, që nuk mbart një narracion përsëritës apo të ngarkuar me vrasje/gjak/dhembje.

Leximi i poezisë sot është një mision. Se poezia as nuk shkruhet dhe as në lexohet. Poezia ndihet. Poezia shijohet me shpirt. Por, poezia po shkërmohet, mbi/në greminë. Sinteza e librit, kryekëput i adresohet lirisë së Kosovës, por vetë simbolika e lirisë nuk është imitative, por e fshehur si kryemetaforë. Poezia ndërtohet mbi krahasimin. Ku ndërthuret koha reale dhe koha historike, herë me nota pesimiste, herë me kontraste të forta historike ku;

– vetëdija kolektive vs fati tragjik i personit (Unit),

– qenësia individualiste përballë kontrasteve historike,

– amshimi dhe qëndresa përballë dashurisë/urrejtjes,

– dhimbja dhe tragjikja përballë mbijetesës dhe tjetërsimit,

– zvetënimi i traditës dhe rreziku nga zhbërja e identitetit,

– ngadhënjimi mbi të keqen dhe ndërgjegjësimi shoqëror.

Poezia nuk ka një ndërtim stilistik statik. Janë vargje të lira, ku krahas krahasimit dominojnë edhe metaforat si në vargjet: dreqërit e dehur me helmeta pinë njëri-tjetrin/ duke lëpirë qefinët në premierën e motit të lig, nga poezia: “Premiera e motit të lig”, që dukshëm dominon figura stilistike e krahasimit. Mjaftojnë këto dy vargje për të kuptuar jo vetëm dimensionin e poezisë, por dhe kumtin që mbart vetë libri, që në dukje aq i hollë dhe pa luks të tepruar, por përplot mesazhe drejt një lexuesi të thjeshtë, por elitar.

Nëse nuk pranojmë se një vepër arti është bashkëkohore në kohën e vet dhe se është bashkëkohore në kohën tonë, nuk janë fakte kundërshtore, por plotësuese. Se leximi i teksteve të tilla është rikrijim identiteti, ku shfaqja dhe matja e koherencës semantike me koncepte të njohura të estetikës quhet si një “distancim estetik” dhe në “kuadrin i formës”, lexuesi është “pikë referimi” për tekstin, që na ndihmon, në krijimin e kulturës reale, për të rindërtuar një rrëfim të së kaluarës, përmes përfytyrimit dhe vëmendjes së “gjithësisë” që i kushton realitetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi…