
Fakulteti Filozofik pasuron bibliotekën në prag të 65-vjetorit të themelimit
Në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 65-vjetorin e themelimit të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, u zhvillua sot një aktivitet simbolik dhe me rëndësi të veçantë akademike – pasurimi i bibliotekës së fakultetit me libra të rinj.
Në këtë aktivitet morën pjesë dekani Bekim Baliqi, prodekani Arsim Sinani, si dhe përfaqësues të studentëve, me në krye kryetarin e Parlamentit Studentor të Fakultetit Filozofik, Erlond Ukaj.
Në prani të tyre, u vendosën në raftet e bibliotekës librat e rinj që pasurojnë fondin ekzistues dhe u theksua rëndësia e vazhdimit të përkujdesjes për zhvillimin e bibliotekës si qendër e dijes dhe kërkimit universitar.
Po ashtu, Biblioteka e Fakultetit Filozofik u pasurua me libra të dhuruar nga Biblioteka e Qytetit të Tetovës, si shenjë bashkëpunimi kulturor dhe akademik ndërmjet institucioneve shqiptare të arsimit dhe kulturës në rajon.
Drejtuesit e fakultetit theksuan se ky aktivitet është vetëm fillimi i një sërë veprimtarish që do të zhvillohen gjatë vitit jubilar, me qëllim që të promovohet roli akademik, kërkimor dhe kulturor i Fakultetit Filozofik në jetën universitare dhe publike të vendit.