
Fakulteti i Filologjisë nderohet për kontributin në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë
Sot, në ceremoninë e hapjes së Konferencës së 3-të Vjetore të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) për Arsimin e Lartë dhe Sigurimin e Cilësisë, që po mbahet në Prishtinë, kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), prof. Hasnije Ilazi, dhe drejtori i AKA-së, Naim Gashi, i dorëzuan Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës mirënjohjen për kontribut në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.
Fakultetit tonë iu dha “Certifikata e Cilësisë” e lëshuar nga AKA dhe KSHC “në shenjë njohjeje për arritje të spikatura në përmbushjen e standardeve të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë”.
Fusha për të cilën u vlerësua dhe u shpërblye Fakulteti i Filologjisë është “organizimi i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Shqipe dhe ofrimi i kurseve për studiues ndërkombëtarë.”
Vlen të theksohet se në konferencën me temë “Internationalised Higher Education: Overcoming Borders and Bringing People Together”, po trajtohet roli i ndërkombëtarizimit në kapërcimin e kufijve, dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes njerëzve, kulturave dhe institucioneve.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, është njëri ndër institucionet më të rëndësishme dhe më jetëgjata të albanologjisë bashkëkohore.
Për më shumë se pesë dekada, ky Seminar shërben si një platformë unike ndërkombëtare për mësimin, studimin dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në të gjitha dimensionet e tyre shkencore, kulturore dhe pedagogjike.