
Faleminderit Çair!
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, njëkohësisht zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut dhe lider i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen masive në hapjen e shtabit zgjedhor.
“Mbrëmja e sotme ishte vula e fitores sonë. Çairi im i dashur, je një diamant që shkëlqen. Secila betejë e imja është VETËM PËR TY, ÇAIR”, ka shkruar Mexhiti në një postim në Facebook pas ngjarjes.
Mijëra banorë kishin vërshuar rrugët e Çairit për të marrë pjesë në këtë hapje solemne, e cila, edhe pse ishte planifikuar si një ceremoni modeste, u shndërrua në një miting madhështor. Rrugët u mbushën me flamuj, pankarta dhe duartrokitje të pandërprera, duke krijuar një atmosferë festive dhe politike njëkohësisht.
Sipas përfaqësuesve të VLEN-it, pjesëmarrja e madhe është dëshmi e qartë se qytetarët tashmë kanë bërë zgjedhjen e tyre. “Çairi ka zgjedhur ardhmërinë, ka zgjedhur VLEN-in dhe Izet Mexhitin,” ishte mesazhi që dominoi në këtë manifestim popullor.