
Faleminderit Junik, fitorja është e juaja!
Agron Kuçi, kandidat për kryetar të Junikut nga AAK-ja
Bashkqytetarë të dashtun!
Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen, kohën dhe përkushtimin që keni treguar gjatë kësaj fushate. Në çdo lagje, në çdo shtëpi e në çdo takim kam parë besimin dhe vendosmërinë tuaj për ta çuar Junikun drejt ndryshimit.
Ju keni dëshmuar se Juniku është qytet me kulturë, me dinjitet dhe me njerëz të urtë, që nuk shiten, nuk frikësohen dhe nuk i përkulen askujt!
Falënderim të veçantë dua t’ia drejtoj diasporës junikase, juve që edhe larg atdheut e keni mbajtur lidhjen me vendlindjen më të fortë se kurrë.
Me mesazhet, telefonatat, përkrahjen dhe besimin tuaj, keni qenë frymëzim për çdo hap të kësaj fushate. Ju jeni zëri i Junikut në botë, dhe krenaria jonë e përbashkët, fitorja e 12 tetorit është edhe fitorja juaj, sepse dashuria për vendlindjen nuk matet me kilometra, por me zemër.
Kjo fushatë ka treguar qartë se kush flet me argumente dhe kush shpif nga paniku i humbjes. Sot kur dihet se fitorja është e jona, po shihen përpjekjet e fundit të atyre që duan ta turbullojnë qetësinë e Junikut, por kjo është fushata e popullit, e guximit dhe e shpresës.
Ne nuk kemi pasur pasuri për të blerë njerëz, por kemi pasur zemër për t’i fituar, nuk kemi pasur pushtet për të frikësuar, por kemi pasur besim për të frymëzuar.
Edhepse pse gjatë gjithë fushatës jam përballur me përpjekje të ulëta për të më frikësuar mua dhe familjen time, me presione, kërcënime e madje edhe me jetë, të porositura por i kam injoruar, sepse e dij që frika është arma e humbësve.
Nuk ka forcë që ndal të vërtetën dhe nuk ka kërcënim që shuan dashurinë time për Junikun.
Por sot kur ata e kanë kuptuar që nuk kanë më shans, do të provojnë t’ju provokojnë juve, për ta prishur qetësinë e procesit.
Mos bini në grackën e tyre, mos lejoni që mundi juaj dhe dita e fitores të njollosen nga veprimet e ulëta të atyre që po e ndiejnë fundin e pushtetit të tyre.
Juniku nuk meriton tensione, nuk meriton përçarje, Juniku meriton një proces të ndershëm, të qetë dhe demokratik, siç i ka hije një vendi me kulturë e qytetari.
Të dielën, ju ftoj të dalim të gjithë në votim.
Të mos lejojmë asnjë votë të humbet – as për arsye teknike e as nga pakujdesia. Çdo votë është një zë për dinjitetin e Junikut, për zhvillim, për punë të ndershme dhe për fundin e arrogancës politike që e ka lodhur këtë komunë.
Mos harroni fitorja është e jona, por përgjegjësia është e secilit prej nesh!
Le ta ruajmë qetësinë, le ta mbrojmë fitoren dhe le ta çojmë Junikun drejt një fillimi të ri me punë, me ndershmëri, me dinjitet dhe dashuri për të gjithë bashkëqytetarët.
Faleminderit për besimin, qëndrimin dhe guximin tuaj!
Të dielën, të gjithë në votim, për Junikun që e duam!