Falsifikimi i rezultatit të votimit në Suharekë, intervistohen 72 të dyshuar, 19 kryesuesve u caktohet masa e ndalimit
Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar komunikatë për nisjen e hetimeve në komunën e Suharekës për dyshimet me manipulime me vota.
Prokuroria ka thënë se janë intervistuar 72 personave, 19 prej të cilëve janë ndaluar për 48 orë.
Ata dyshohet se në cilësinë e kryesuesve të komisioneve kanë kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.
“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, janë intervistuar shtatëdhjetë e dy (72) të dyshuar. Nëntëmbëdhjetë (19) prej tyre pas intervistimit në polici, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’ nga neni 216 par.2 të KPRK-së”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren
Prokuroria ka thënë se brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
“Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren.



