
Familja e kolonel Nexhmi Krasniqit apelon: Mos bini pre e telefonatave mashtruese në emër të tij
Familja e kolonel Nexhmi Krasniqit ka njoftuar opinionin publik se kohëve të fundit qytetarë të ndryshëm po pranojnë thirrje dhe mesazhe telefonike të dyshimta, kryesisht nga numra të huaj, përkatësisht nga Bosnja, në emër të tij.
Sipas familjarëve, personat që kryejnë këto thirrje paraqiten kinse janë vetë koloneli Krasniqi, duke u kërkuar qytetarëve shuma të mëdha parash, nga 1500 euro e më shumë, me arsyetimin se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore ose se i nevojiten mjete financiare për avokatë.
“Ne dëshirojmë të sqarojmë se familja jonë nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon ndihmë financiare nga askush. Askush nuk është i autorizuar të mbledhë para në emrin tonë apo të kolonelit Nexhmi Krasniqi,” thuhet në reagimin e familjes.
Familja Krasniqi apelon te qytetarët që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa urgjente për ndalimin e kësaj veprimtarie kriminale, raporton “Epoka e re”.
Koloneli Nexhmi Krasniqi u arrestua në fillim të muajit gusht, ndërsa Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.