“Fantazma e Prishtinës” ishte imazh i Inteligjencës Artificiale, reagon Policia

12 janar 2026 | 16:04

Një imazh i krijuar me inteligjencë artificiale (AI), i njohur në rrjete sociale si “Fantazma e Prishtinës”, ka shkaktuar konfuzion dhe reagime të shumta tek qytetarët.

Lidhur me këtë çështje është pyetur Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë apo informatë zyrtare nga qytetarët në lidhje me këtë rast.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Kryeqytetit, Enis Pllana, ka deklaruar se policia mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe është gjithmonë e hapur për bashkëpunim me qytetarët.

Ai ka shtuar se policia inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo shqetësim apo dyshim dhe ka garantuar se çdo informacion do të trajtohet me seriozitet.

“Policia e Kosovës drejtoria e Kryeqytetit deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo informatë nga qytetarët lidhur me këtë çështje. Megjithatë policia mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe gjithmonë e hapur për bashkëpunim me qytetarët. Çdo informacion që mund të ndihmojë në parandalimin apo ndriçimin e rasteve të ndryshme është i mirëseardhur dhe mund të raportohet përmes numrat zyrtar në stacionet policore. Polica inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo shqetësim apo dyshim dhe garanton se çdo informacion do të trajtohet me seriozitet”, ka deklaruar Pllana për emisionin Rreth e Rrotull.

Ndërkohë, lidhur me raportimet në disa media për një “fantazmë” që pretendohet se “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës, ka reaguar edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).

KMShK ka vlerësuar se raportimet e tilla janë të pasakta, pasi bëhet fjalë për përmbajtje të gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale (AI), të cilat janë shpërndarë në rrjete sociale dhe më pas janë marrë nga disa media pa verifikim të mjaftueshëm.

Sipas KMShK-së, ky institucion ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me këto përmbajtje, duke theksuar se raportime të tilla mund të shkaktojnë konfuzion dhe panik tek publiku.

“Mediat duhet të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifkojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik KMShK bën thirrje që raportimet të bëhen kujdesshëm, të jenë korrekte dhe të bazuara në Kodin e Etikës.”, thuhet në reagimin e KMShK-së./Dukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP_ ka refuzuar katër…