Fantazmagoria e “Komedisë hyjnore” dhe e poemës “Histori e Skënderbeut”
Sadik Krasniqi
Çdo krijues, sado që synon ta ruajë origjinalitetin në vepër, me dëshirën apo pa dëshirën e vet, vepra e tij do të shëmbëllejë herë pas here me elemente të veprave (kryeveprave) të lexuara
Erudicioni i Naim Frashërit bëri që edhe vepra e tij të ketë elemente të shumta nga veprat e lexuara prej tij, qofshin ato mitologjike, historike, popullore apo të traditës letrare.
Çdo krijues, sado që synon ta ruajë origjinalitetin në vepër, me dëshirën apo pa dëshirën e vet, vepra e tij do të shëmbëllejë herë pas here me elemente të veprave (kryeveprave) të lexuara, sepse edhe në art, si në çdo veprimtari tjetër, s’mund të ketë risi totale.
Edhe Historia e Skënderbeut, që sjell një risi dhe origjinalitet në letërsinë e Rilindjes Kombëtare, sado që mban ngjyrë dhe qenie naimiane, nuk shpëtoi “e virgjër” nga ndikimi i veprave që pati rast të shfletonte ky autor. Nëse një vepër përmban elemente të huaja (si intertekstualitet), nuk do të thotë se ndërtohet prej tyre apo mos të ketë qenësinë e vet. Këtë ligjësi në art e vërteton edhe Historia e Skënderbeut, e cila, edhe pse ka shëmbëllesa nga më të ndryshmet, përjetohet përherë si vepër origjinale naimiane, me ngjyrat lirike, emocionale, heroike, përshkruese, figurative, stilistike dhe gjuhësore, që i takojnë vetëm asaj. Me gjithë origjinalitetin e autorit, kjo poemë është një mishërim figurash, ngjarjesh, përshkrimesh e personazhesh të veprave të ndryshme. Nëse i qasemi këtij interesimi, për hetimin e elementeve të huaja në këtë poemë të Naimit, mes të tjerash, hasim këto elemente: – atë të letërsisë popullore, në të cilën ngërthehet edhe mitologjia; homerik, të Barletit, iluminist, të Dante Aligerit, si dhe elemente nga shumë histori të shfrytëzuara.
Meqë Historia e Skënderbeut përkon me elemente të shumta të veprave të ndryshme, me veprën e përkryer sistematikisht të Dante Aligerit, Komedia hyjnore, përkon vetëm me një këngë, e cila në njëfarë mënyre është oazë imagjinare e poemës heroike. Kënga XII e Historisë së Skënderbeut, që përkon me Komedinë hyjnore të Dantes, është ndër këngët më të bukura të poemës së rilindësit tonë kombëtar, e cila thyen monotoninë e njëtrajtshme të rrjedhës së poemës. Naim Frashëri në këngën XII, pra kah gjysma e poemës, i vetëdijshëm që me gjatësinë e narrativës do ta rëndonte lexuesin, i largohet kësaj rrjedhe të njëtrajtshme me një sekuencë që nuk ishte hasur si e tillë deri atëherë në letërsinë shqipe: me elementin fantastik të shkuarjes së Skënderbeut në botën e fantazuar. Ky element fantastik puqet me sistemin e imagjinuar simetrik të Dante Aligerit në Komedinë hyjnore. Kënga XII është një fantazmagori e tërë, sikurse te Danteja, ku heroi është i shastisur prej syve të Beatriçes; ashtu edhe Skënderbeu, i mahnitur pas bukurisë të së shoqes, kapërcen në botën e përtejme, sheh parajsë dhe skëterrë. Ndërsa Dante Aligerin për në parajsë e shoqëronte Virgjili, si sinonim i diturisë; Skënderbeun në “detin e diturisë” e shoqëron Engjëlli, që personifikon pastërtinë (shpirtërore), dashurinë dhe bukurinë. Si te Danteja ashtu edhe te Naimi heroin nëpër labirintet fantastike e të imagjinuara e shtyn dashuria ndaj bukurisë së të dashurave të tyre. Kënga XII te Historia e Skënderbeut është një “komedi hyjnore” në miniaturë, sepse edhe në këtë këngë kemi ndarjen e botës hyjnore në tre rrathë, që përkojnë me rrathët koncentrikë e simetrikë të Dantes: ferri, purgatori dhe parajsa. Vetëm për dallim nga heroi i Dantes, heroi naimian depërton nga parajsa për në ferr. Botën hyjnore Naimi e ndan sipas kriterit etik. Kryeheroi kalon në ekstazë, shëtit i shoqëruar nga Engjëlli në një sinor të përsosur në aspektin e bukurisë.
Duke qëndruar pranë mbretëreshës, kalon në krahët e ekstazës shpirtërore.
Dhe vështron Pëllumbeshën
Q ́ish por si mollë e artë
Ra në det të bukurisë
Mendjen vala ia mori
Ra në detin e perëndisë
(Kënga XII)
Ndërsa te Dante:
Dhe Beatriçja më vështroi
me ata sy hyjnorë krejt flakë dashnie,
si e mundun forca ime u zmbrap mejhera
e me sy ulë e humba për një fije
1. H., Kënga IV, f. 451)
Ndërsa te Dante Aligeri rrathët koncentrikë stolisen me figura historike e mitologjike, te Naim Frashëri te këta rrathë gjejmë kategoritë etike: të mirën ose të keqën. Ai te “drita e perëndisë” has në të vërtetat: mirësinë, dashurinë, urtësinë, miqësinë, vëllazërinë, shpëtimin, gëzimin, diturinë, njerëzinë dhe trimërinë. Këto kategori etike poeti i vendos në një “shesh të lulëzuar”. Skënderbeu, ngjashëm me heroin e Dantes, kur s’ka diçka të qartë në atë botë ekstazë, e pyet Engjëllin, i cili i qartëson çdo gjë, porsi Virgjili poetit të madh italian. Si Dante që shëtit me Virgjilin, edhe heroi i poemës shqipe vepron njësoj:
Engjëlli i urtësisë
pastaj për dore e mori
jashtë rrënetit e nxori
dhe hapi me vrap një lesë
ca më tej ishe një lum
i thellë dhe i turbulluar
dhe zëmadh e valëshumë
i gjerë i tmerruar.
(K. XII)
Përtej këtij lumi gjendet një purgator naimian, të cilën poeti e cilëson si vend që s’ishte as i lig e as i mirë, as parajsë e as skëterrë. Pas këtij purgatori Skënderbeu kalon në skëterrë, ku:
Atje tej ishte skëterra
një shkëmb e një shkretëtirë
njerëzit bërë derra
futur në errësirë
(K. XII)
Në këtë vend gjejmë karakteret e njerëzve amoralë, si: lakminë, babëzinë, kallëzimin, zinë, vrasjen, nakarin etj. Ashtu si Aligeri, që flet simbolikisht dhe me alegori për gjendjen ekzistuese në Italinë e asaj kohe, edhe Naimi alegorikisht, përmes kësaj kënge, pasqyron gjendjen e Shqipërisë së kohës së tij. Edhe në këtë këngë, si te Komedia hyjnore, shprehet një imagjinatë e thellë dhe e gjerë, me të cilën Naim Frashëri freskon poemën dhe njëherazi ngre nuancat artistike në poetikën e saj.



