FAO trajnon zyrtarët kosovarë për shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve

01 korrik 2021 | 14:59

Për herë të parë në Kosovë, zyrtarët ligjorë të institucioneve pyjore trajnohen për shfrytëzimin e ligjshëm  të pyjeve.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), përmes programit për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, financuar nga Suedia, po mban trajnim dy ditor me zyrtarë ligjorë dhe përgjegjës për zbatimin e legjislacionit në pylltari.

Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është njohja më e mirë me përmbajtjen e legjislacionit ekzistues, identifikimi i shkaqeve të veprimeve të paligjshme në sektorin e pyjeve, shfrytëzimi më i mirë i mjeteve ligjore për të adresuar dhe zvogëluar paligjshmërinë në sektorin e pylltarisë, mundësia e përmirësimit të kornizës ligjore si dhe mekanizmave për monitorimin e shfrytëzimit të ligjshëm të pyjeve.

Sipas drejtorit të Departamentit të Pylltarisë në MBPZHR, Tahir Ahmeti, shfrytëzimi joligjor i pyjeve dhe lëndës së drurit dhe zbatimi i legjislacionit të pylltarisë vazhdon të mbetet sfidë për Kosovë në 20 vitet e fundit.

“Një nga raportet që na tregon më së miri këtë çështje është raporti i inventarit pyjor, sipas të cilit shumica e masës drusore në Kosovë ose prehet në mënyrë ilegale, ose procedurat dhe praktikat e shfrytëzimit të lëndës  drusore nuk janë në harmoni me ligjin e aplikueshëm”, theksoi z.Ahmeti. Ai ftoi pjesëmarrësit që të përfshihen në procesin e avancimit të kornizës ligjore për shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve dhe në zbatimin e saj.

FAO po mbështetë MBPZHR-në në hartimin e strategjisë së re për pylltari dhe avancimin e kornizës ligjore, në përpjekje për të përmirësuar menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve si një burim i rëndësishëm për vendin. Praktikisht, programi ka për qëllim që të ketë ndikim konkret në zvogëlimin dhe heqjen e boshllëqeve për shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve dhe zbatimin e ligjit në sektorin e pylltarisë, përmes ngritjes së kapaciteteve të zyrtarëve relevant për aspektet e shfrytëzimit të ligjshëm të pyjeve.

Zyrtari i FAO-s për pylltari, Ekrem Yazici theksoi se ligjshmëria e drurit është edhe kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropianit.

“Rregulloret e BE-së thonë se cdo pjesë e lëndës së drurit që shfrytëzohet duhet të vijë nga menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve, andaj ne duhet t’i menaxhojmë pyjet në mënyrë të qëndrueshme. Ligjshmëria e drurit ka shumë aspekte ligjore, institucionale e teknike. Prandaj duhet të përfshihet në proces që nga planifikimi i menaxhimi të pyjeve deri te  prerjet, transporti i lëndës, përpunimi, importimi apo eksportimi”, tha z.Yazici.

Në trajnim, i cili parashihet të zhvillohet në katër sesione, po marrin pjesë zyrtarët përgjegjës për aspektet ligjore nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore e Kosovës, Inspektorët e Pyjeve dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë diskutimeve të ditës së parë, u theksua nevoja e angazhimit më të madh të organeve të drejtësisë në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë më prerjen ilegale të pyjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka njoftuar se të premten do…