Faqja zyrtare e Presidencës në Facebook ndryshoi emër, stafi i Vjosa Osmanit sqaron arsyet e riemërtimit
Pas përfundimit të mandatit si Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë një ndryshim në faqen zyrtare të Presidencës në Facebook.
Ajo ka vendosur ta riemërtoj faqen nga “Presidenca e Kosovës” në “Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës”.
Ky detaj ka nxitur reagime në rrjete sociale. Mes tyre, profesori i sigurisë kibernetike në UBT, Blerton Abazi ka kritikuar ndryshimin, duke thënë se ky veprim duket si “privatizim” i faqes zyrtare të Presidencës.
“Ky ndryshim më shumë duket si privatizim i faqes zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës në Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës… ish Presidentja Vjosa Osmani, nuk duhet të personalizojë faqen zyrtare të Presidencës rrjedhimisht edhe ndjekësit, komunikimet përmes kësaj etj. Nuk është e nevojshme që çdo president/e të krijojë faqen e vet të komunikimit”, ka shkruar ai.
Por këshilltarja e Osmanit, Egnesa Vitia ka treguar për Telegrafin se përse ka ndodhur ky ndryshim.
Ajo ka theksuar se kjo është bërë me qëllim të arkivimit dhe ruajtjes së materialeve të prezantuara përgjatë mandatit 5 vjeçar të Osmanit.
“Në përputhje me praktikat e shumë shteteve, faqja e hapur nga stafi politik i ish-Presidentes Osmani në Facebook dhe në Twitter, ku prezantohej puna e Presidencës gjatë mandatit të saj, tani arkivohet si faqe me emër të ri dhe menaxhohet nga stafi i Presidentes së gjashtë. Kjo është në përputhje me praktikat në shtete të tjera dhe bëhet me qëllim të arkivimit dhe ruajtjes së materialeve të prezantuara përgjatë këtij mandati”, tha Vitia.
Ndërkohë, kujtojmë se mandati pesëvjeçar i Osmanit përfundoi dje, ndërsa sipas Kushtetutës, detyra e Presidentes i kaloi përkohësisht kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.



