Fatmir Iska zgjidhet kryetar i AAK-së në Rahovec, zëvendëson Smajl Latifin
Fatmir Iska është zgjedhur kryetar i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Rahovec, duke zëvendësuar në këtë detyrë Smajl Latifin. Vendimi u mor në Kuvendin Zgjedhor të degës, ku delegatët i besuan Iskës mandatin katërvjeçar në krye të strukturës lokale të partisë.
Sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, Rahoveci vazhdon të mbetet një ndër shembujt më të mirë të qeverisjes lokale nga Aleanca, falë modelit të menaxhimit efikas dhe zhvillimor.
“Me qeverisjen e dëshmuar të Aleancës në nivel lokal, ku komunat e udhëhequra nga Aleanca shquhen për efikasitet dhe zhvillim, Rahoveci mbetet një prej shembujve më të mirë të këtij suksesi,” ka theksuar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar gjithashtu punën e deritanishme të Smajl Latifit, duke theksuar se nën udhëheqjen e tij komuna ka shënuar rezultate konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Nën udhëheqjen e Smajl Latifit, Rahoveci ka dëshmuar se përkushtimi dhe vizioni i qartë sjellin rezultate të prekshme për qytetarët,” u shpreh ai.
Zgjedhja e Fatmir Iskës në krye të degës u cilësua si vlerësim për angazhimin e tij të deritanishëm dhe si besim për vazhdimin e punës në të ardhmen.
Haradinaj falënderoi të gjitha strukturat dhe aktivistët për kontributin e tyre ndër vite, duke theksuar se Aleanca në Rahovec dhe në gjithë Kosovën është më e mobilizuar dhe më e bashkuar se kurrë.
Ai uroi strukturat e reja dhe kryetarin Iska për detyrën e re, duke shprehur bindjen se angazhimi i përbashkët do të sjellë suksese të reja në shërbim të qytetarëve.




