Fatmir Muhaxheri për Izet Gjinovcin: Nuk e kurseu as markën e fundit për të mirën e hendbollit të Kosovës

05 gusht 2025 | 18:58

Selektori i kombëtares së Kosovës U-19 (meshkujt), Fatmir Muhaxheri, tha se Izet Gjinovci ka qenë figura më e fuqishme e hendbollit të Kosovës.

Gjinovci ka qenë më shumë se dy dekada sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, ndërsa në kohën e okupimit, në gjeneratën e sakrificës, nuk e kurseu as markën e fundit në ndihmë të hendbollit dhe sportit të Kosovës në rezistencë ndaj regjimit serb. 

“Izet Gjinovci ka qenë një ndër figurat më të fuqishme dhe më karizmatike të hendbollit të Kosovës. Kam pasur nderin e madh që të punonim bashkë për një kohë të gjatë.

Ai ishte motivues i jashtëzakonshëm për të gjithë, edhe në momentet më të vështira, na jepte shpresë dhe forcë për të ecur përpara”, – kujton Fatmir Muhaxheri me emocion.

“Një punëtor i palodhur, një profesionist i vërtetë dhe një guximtar në vendimet e mëdha, Izet Gjinovci ishte lokomotivë e vërtetë e hendbollit tonë.

Që nga koha e gjeneratës së sakrificës e deri në frymën e fundit të jetës, ai nuk u shkëput asnjëherë nga ky sport që e deshi me shpirt”.

“Edhe në muajt e fundit të jetës, përkundër sëmundjes së rëndë, ai ishte gjithmonë pranë nesh, me një energji që na befasonte të gjithëve. Ishte i lidhur ngushtë me hendbollin, me kombëtaret, me klubet, me trajnerët dhe sportistët.

Largimi i tij i hershëm ka lënë një zbrazëti të madhe në zemrat tona dhe në gjithë komunitetin e hendbollit. Ai dinte të motivonte edhe kur klubet kalonin në krizë, e kishte fuqinë t’i mbështeste pa kushte.

Kontributi i tij në gjeneratën e sakrificës është i jashtëzakonshëm, nuk e kurseu as markën e fundit për të mirën e sportit”, ka përfunduar Muhaxheri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti i cili jeton në SHBA, Bleron Baraliu ka reaguar…