Faton Peci i reagon Musliut: Keni hyrë në pushtet me panla e keni dalë milionerë

15 dhjetor 2022 | 12:37

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka dhënë kritika ndaj fjalimit vjetor të presidentes Vjosa Osmani sot në Kuvend.

Musliu ka thënë se Osmani do të mbahesh mend si grua që ka hyrë në Presidencë me 100 kilogramë e do të dalë nga Presidenca me 50 kilogramë.

Ndaj deklaratës së deputetes së PDK-së ka reaguar ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili i ka thënë Musliut se kilogramë për kilogramë, ajo dhe partia e saj janë majmur duke e shfrytëzuar Kosovën si plaçkë lufte.

“Gane, kilogramë për kilogramë, ti dhe partia jote jeni majmur duke e shfrytëzuar Kosovën si plaçkë lufte. Milionat që keni ba ju nuk peshojnë me kg, por me okë. Keni hy në pushtet me panla e keni dalë milionerë. Keni hy të lodhtë e keni dalë të fuqishëm në mënyrë të frikshme. Kur keni hy as biçikleta nuk keni pasë, sot voziteni me marka veturash nga trendet që shihen në TV. Ky diskursi yt është diskurs i partisë, në fakt. Prej shprehjes ‘ma hangsh…’, e deri te fymjet të natyrave të tjera, janë bërë pjesë e ‘gjuhës parlamentare’, nga ti dhe bashkëpartiakët”, ka shkruar ministri Peci në “Facebook”.

Ai ka shtuar se: “Bullizmi që ti e përdorë në raport me Presidenten e vendit është veç shpërfaqje e Ganes së vërtetë. Ti je kjo realja konform gjuhës që e përdorë. Ti vetë ke qenë viktimë e këtij diskursi, ndaj Gane e dashur, përmbahu, sepse i fyeri të fyen! Për fund, po ta sjell në vëmendjen tuaj një thënie të mikes së madhe të Kosovës, ish-sekretares Albright: Ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk i mbështesin gratë!”, ka shkruar Peci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me…