Fatura e mbeturinave, kusht për regjistrim të veturave

09 prill 16:14

Zyrtarët e komunës së Prishtinë kanë bërë me dije se vetëm 10.483 persona i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së komunës nga mbi 50 mijë sa janë të regjistruar për të paguar faturën e mbeturinave.

Kjo shifër është e ulët për kryeshefin e kompanisë “Pastrimi”, Feim Salihu.

“Fakti që fatura është si këst dhe brenda në këtë faturë janë tre muaj do të bëjë që më pak qytetarë të paguajnë. Sikurse faturat të dërgoheshin për çdo muaj, inkasimi do të ishte më i lartë”, ka thënë Salihu për “038 i KTV-së”.

Ai ka shtuar se derisa ata grumbullonin paratë mbi 40 mijë qytetarë paguanin faturat për çdo muaj.

“Në këtë ka ndikuar edhe fakti që ne kemi pasur gjashtë pika në të cilat qytetarët mund të paguajnë dhe për më tepër kemi shkuar për të kërkuar borxhin edhe nëpër shtëpi”, ka thënë Salihu.

Megjithatë sipas tij deri më tash, komuna e Prishtinës u ka paguar atyre dy këste, sipas kontratës që kanë lidhur bashkë.

Ndërkohë për të rritur numrin e paguesve të faturave, komuna pritet që nga kësti i tretë, që nis më 1 korrik, të detyrojë qytetarët të paguajnë duke i kushtëzuar me regjistrim të automjeteve.

Jo zyrtarisht, punëtorët nëpër sportele kanë thënë se po përgatiten që këtë metodë, ta nisin më shpejt, por që në rregulloren për mbeturina, thuhet që kushtëzimi bëhet pas mospagesës së këstit të tretë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga nesër (e martë)…