FAZ: Trump e zhveshi Vuçiqin nga iluzioni i fuqisë

04 shkurt 2026 | 07:44

Sanksionet e vendosura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë detyruar kompaninë ruse Gazprom të tërhiqet nga Serbia, duke e rrëzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq nga pozita e tij e pretenduar e fuqisë dhe duke ekspozuar dobësinë e pushtetit të tij, shkruan sot gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).

Në analizën me titull “Presioni i Trumpit e zbërtheu iluzionin e pushtetit në Serbi”, FAZ vlerëson se ndonëse Trump shpesh perceptohet si politikan i paparashikueshëm që vetëm demonstron forcë, në këtë rast ai ka vepruar seriozisht. Sipas gazetës, këtë e ndjejnë më së shumti “kundërshtarët e dobët”, ndër ta edhe Serbia me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas FAZ-it është mjaftuar me retorikë për fuqinë e tij reale.

Gazeta shkruan se përballë mungesës së energjisë, karburanteve dhe pakënaqësisë së rritur të qytetarëve, Vuçiq ka “përkulur kokën” përballë kërcënimeve gjithnjë e më reale nga Uashingtoni. Dalja e Gazpromit nga Naftna Industrija Srbije (NIS), që FAZ e përshkruan më shumë si “përjashtim sesa largim vullnetar”, redukton ndjeshëm ndikimin rus në oborrin e Bashkimit Evropian.

Sipas FAZ-it, kjo lëvizje nuk do t’u pëlqejë strategëve në Kremlin, edhe pse çmimi i shitjes – rreth një miliard euro – ishte dyfish më i lartë sesa shuma me të cilën Rusia kishte blerë NIS-in. Me këtë, sipas gazetës, po ndryshon rrënjësisht rendi energjetik në Ballkanin Perëndimor.

Në kritikën e saj më të ashpër, FAZ shkruan se “një firmë e vetme në Uashington” e detyroi Vuçiqin – i cili e shihte veten të barabartë me presidentët e Rusisë dhe Kinës – të përballet me realitetin: ai është udhëheqës i një vendi të vogël, me rritje të ngadalësuar ekonomike, sistem juridik të korruptuar dhe me një popullsi që është rebeluar në atë masë, saqë ai u detyrua të premtojë zgjedhje të parakohshme.

FAZ përfundon se Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, ka një rol kyç në Ballkanin Perëndimor dhe se Brukseli duhet ta ruajë perspektivën evropiane të saj. Megjithatë, sipas gazetës, kjo perspektivë është “vështirë e realizueshme” me Vuçiqin, pasi besimi ndaj tij është shteruar – jo vetëm te qytetarët e Serbisë, por edhe brenda vetë Bashkimit Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dokumentet e reja për Jeffrey Epsteinin, të publikuara nga Ministria…