
FBK kundër fyerjeve etnike: Basketbolli nuk është vend për urrejtje, por për bashkim
04 gusht 2025
| 16:35
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është shumë e shqetësuar me gjuhën fyese dhe ofenduese të përdorur gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2027 ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Rumanisë.
“Ofendimet e rënda ndaj shqiptarëve në këtë ndeshje të basketbollit nuk paraqesin vlerat sportive dhe njerëzore, e këto sjellje nuk kanë vend në tribuna. FBK dënon gjuhën ofenduese të përdorur ndaj shqiptarëve dhe beson se do të merren masat ndaj akterëve të këtyre sjelljeve të pahijshme. Basketbolli duhet të jetë vend i bashkimit e jo ndarjes dhe urrejtjes”, thuhet në reagimin e FBK-së.