FC Besa Essen debuton me fitore bindëse
Një ëndërr e komunitetit shqiptar në Gjermani është bërë realitet: FC Besa Essen e.V., klubi i ri futbollistik i themeluar nga shqiptarët në qytetin e Essenit, zhvilloi ndeshjen e tij të parë zyrtare në kampionatin gjerman.
FC Besa Essen mposhti me rezultat 5-0 DJK Wacker Bergeborbeck.
Me një performancë të shkëlqyer, ekipi debutues arriti një fitore bindëse. Për nënkryetarin e këtij klubi, Besnik Kelmendi kjo ishte një përjetim shumë emocional dhe i veçantë.
“Ishte një moment historik: FC Besa Essen e fitoi ndeshjen e parë zyrtare në historinë e klubit me rezultat 5:0. Në Ligën C, klubi i ri futbollistik nga Esseni u tregua dukshëm më i fortë se kundërshtari tradicional DJK Wacker Bergeborbeck”, ka thene Kelmendi.
Qysh në pjesën e parë shënuan Maximilian Tißen dhe Denis Gashi. Në pjesën e dytë rezultatin e thelluan sërish Tißen dhe Kerim Hatil.
Trajneri Thomas Kirchheim ishte i kënaqur pas kësaj fitore historike: “Ishte një kundërshtar i mirë, por ne qëndruam kompakt dhe e imponuam lojën tonë, në mënyrë që kundërshtari të mos kishte asnjë rast serioz. Ekipi dha maksimumin dhe tregoi një paraqitje të shkëlqyer. Edhe pse Esad Morina dhe Marvin Pape nuk luajtën këtë javë, javën tjetër do të jenë pjesë e ekipit dhe ne do të japim edhe më shumë”, tha Kirchheim.
Klubi i ri futbollistik nga Esseni, FC Besa Essen e.V., pas kësaj ndeshjeje renditet fillimisht në vendin e tretë në tabelë.
Për nënkryetarin Besnik Kelmendi, kjo ndeshje kishte edhe një kuptim më të thellë. Në fillim të viteve ’90 ai – ashtu si edhe anëtari përgjegjës i klubit Ardian Gashi – erdhi si i ri nga Kosova në Essen dhe hapat e parë në futboll i bënë pikërisht te Wacker Bergeborbeck, kundërshtari i ndeshjes së parë të klubit të ri.
“Kush do ta kishte menduar atëherë se pas shumë vitesh do të luanim bashkë si pjesë e klubit tonë – dhe kjo pikërisht kundër klubit ku filloi gjithçka”, u shpreh Besnik Kelmendi.
Veçanërisht në kujtesën e Kelmendit dhe Gashit ka mbetur Hans-Joachim Buchholz, atëherë drejtues i rinisë te Wacker Bergeborbeck, i cili i priti ngrohtësisht dhe i ndihmoi shumë në hapat e tyre të parë në futbollin gjerman. Për ta bërë historinë edhe më të plotë, Buchholz ishte i pranishëm personalisht të dielën në ndeshje.






