‘FC Besa Essen e.V.’ themelohet në ditën e flamurit kombëtar
FC Besa Essen e.V. është klubi më i ri shqiptar në diasporë. Themelimi i këtij klubi është bërë në ditën më të veçantë për shqiptarët, pra më 28 Nëntor në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Sot, më 28 Nëntor 2024, në këtë ditë të shënuar të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar, me krenari dhe emocion shpallim themelimin e FC Besa Essen e.V.. Ky moment i veçantë simbolizon jo vetëm lindjen e një klubi futbolli, por edhe fuqinë e bashkimit, frymën e bashkëpunimit dhe vlerat e Besës, besnikërinë dhe respektin që na përkufizojnë si shqiptarë”, thuhet në njoftim.
Themelues të këtij klubi janë Besnik Kelmendi, Sokol Kolmaka, Gazmend Fejzullahu, Fadil Ademi, Imri Ademi, Fatmir Shishmani, Sheribane Tafa dhe Ali Matoshi, derisa ky klub synon të ndërtojë një hapësirë ku sporti dhe komuniteti shkrihen së bashku për të krijuar mundësi dhe frymëzim për të gjitha brezat.
“Në këtë ditë historike, falënderojmë të gjithë ata që mbështetën këtë iniciativë dhe shpresojmë që FC Besa Essen e.V. të bëhet një simbol i krenarisë shqiptare dhe i suksesit në arenën sportive dhe përtej saj. Së bashku për sport, komunitet dhe identitet! Gëzuar Ditën e Flamurit!”, ka thënë themeluesi i klubit dhe politikani shqiptar që jeton e vepron në Gjermani, Besnik Kelmendi.