
FC Prishtina huazon tre futbollistë
FC Prishtina ka njoftuar se ka huazuar tre futbollistë për sezonin 2025/26, me synimin për të ndihmuar zhvillimin e tyre profesional dhe për të fituar më shumë përvojë në skuadra të ndryshme të futbollit kosovar.
Ardi Ajdini është huazuar te KF Liria e Prizrenit, ku pritet të ketë rol kyç në formacion dhe të kontribuojë në realizimin e objektivave ambicioze të klubit për këtë sezon. Ardi shihet si një nga lojtarët më premtues në repartin defensivë dhe kjo lëvizje do t’i shërbejë shumë rritjes së tij.
Drin Bajraktari, mbrojtësi krahut të majtë, do të vijojë sezonin me KF Vushtrrinë. Me disiplinën dhe shpirtin luftarak që e karakterizon, Drini pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për skuadrën nga Vushtrria.
Ndërkohë, Flori Spahija i është bashkuar ekipit të KF Vjosa nga Shtimja. Ky huazim është një mundësi e mirë për Florin që të shfaqë potencialin e tij dhe të kontribuojë në suksesin e klubit gjatë kampionatit.
“Ne, si klub, ju dëshirojmë suksese këtyre futbollistëve dhe besojmë se kjo eksperiencë do t’i ndihmojë të kthehen edhe më të fortë në të ardhmen tek klubi jonë”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.