Federata e Gjimnastikës e Kosovës shpall ‘Laureatët e Vitit 2025’, Sara Pllana shpallet Sportistja e Vitit
Në një atmosferë festive dhe solemne, me praninë e shumë personaliteteve të sportit dhe përfaqësuesve institucionalë, Federata e Gjimnastikës e Kosovës (FGJK) ka shpallur të mërkurën Laureatët e Vitit 2025. Ceremonia u mbajt më 03 shkurt 2026, nga ora 18:00, në ambientet e Hotelit Sirius.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), si dhe drejtoritë e sportit nga komunat e Podujevës dhe Prishtinës.
Nën drejtimin e kryetarit të FGJK-së, Shkumbin Maqastena, gjimnastja Sara Pllana u shpall Sportistja e Vitit 2025, si vlerësim për suksesin e saj historik – fitimin e medaljes së parë ballkanike për gjimnastikën e Kosovës. Sipas FGJK-së, Pllana është vlerësuar jo vetëm për rezultatet e arritura në arenën ndërkombëtare, por edhe për kontributin e saj në zhvillimin, themelimin dhe masivizimin e gjimnastikës në vend.
“Federata e Gjimnastikës e Kosovës shpalli Laureatët e Vitit 2025, duke përmbyllur një vit shumë të suksesshëm në garat ndërkombëtare. Sportistja e vitit u shpall Sara Pllana, fituese e medaljes së parë ballkanike për gjimnastikën tonë. Po ashtu, FGJK ka vlerësuar shpresat e këtij sporti dhe ka nderuar me mirënjohje e medalje trajnerë, klube, sportistë dhe kontribuues të tjerë që gjatë vitit 2025 kanë ndihmuar në avancimin e gjimnastikës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e FGJK-së.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi, i cili në emër të KOK-ut nderoi ish-kryetarin e FGJK-së dhe aktualisht nënkryetarin e federatës, Besim Halilaj, me Çmim Special për kontributin e tij të veçantë në themelimin dhe masivizimin e gjimnastikës në Kosovë.
Laureatët e Vitit 2025
-
Sportistja e Vitit 2025: Sara Pllana 🥇
-
Top Sportistet: Bora Hoti, Fernaze Cakaj, Kaltrina Thaqi
-
Trajnerja e Vitit për grupmoshat e reja: Doruntinë Ibrahimi
-
Trajnerja e Vitit për grupmoshat e rritura: Abeliana Bregu
-
Klubi më i Mirë i Vitit 2025: Klubi i Gjimnastikës “Vushtrria” 🏆
-
Çmim Special për kontribut të veçantë në themelimin dhe avancimin e gjimnastikës në Kosovë: Besim Halilaj
Gjatë ceremonisë, FGJK ndau mirënjohje për institucionet, organizatat dhe individët që kanë kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në zhvillimin e gjimnastikës, përfshirë Komitetin Olimpik të Kosovës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Departamentin e Sportit, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Komunën e Fushë Kosovës, Kryqin e Kuq të Kosovës, përfaqësues të mediave dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Çmime u ndanë gjithashtu për shpresat e vitit dhe për sportistet e dalluara, duke e përmbyllur ceremoninë në një atmosferë dinjitoze dhe festive.
Federata e Gjimnastikës e Kosovës uroi të gjithë laureatët dhe falënderoi çdo kontribues për përkushtimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë vitit 2025.




