
Fehmi e Xhevë Lladrovci prijësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës
Imer Xhemail Lladrovci
Kur Fehmi e Xhevë Lladrovci hynë në tokën e Kosovës,Adem Jashari nuk ishte më gjallë, por me siguri shpirti i tij ishte i qetë sepse ai kishte besim të madh te Fehmi Lladrovci, i cili do ta vazhdonte punën e tij atdhetare aty ku e kishte lënë ai. Azem e Shote Galica ishin kthyer nga legjenda në realitetin e luftës. Azem Galica e Adem Jashari i përkisnin një bote tjetër, kurse Fehmi Lladrovci si Lutë Gllanasella ishte vënë në krye të atyre që luftonin për çlirim. Do të luftonte edhe disa muaj dhe pastaj do t‘i bashkohej galerisë së heronjëve të kombit. Kishte edhe një Adem tjetër, Adem Demaçi, i cili e priste Fehmi Lladrovcin në Kosovë. Ai ishte shprehur disa here në publik me entuziazëm për kthimin e tij. Adem Demaçi ishte i bindur se nuk mund të kishte një luftë çlirimtare pa Fehmi Lladrovcin. Ai i gëzohej edhe Shote Galicës së re, Xhevë Krasniqit-Lladrovcit.Pikërisht në këtë kohë të kthimit të Fehmi Lladrovcit në Kosovë, pas epopesë së Jasharëve në Prekaz, UÇK-ja u kthye nga një organizatë guerile në një ushtri të vërtetë popullore. Ajo tashmë nuk kishte nevojë vetëm për guerilë të aftë e të guximshëm, por edhe për prijësa që e bashkojnë popullin në luftë kundër Serbisë. Shumë formacione ushtarake në botë qëndrojnë gjatë në stadin e guerilës, madje ndonjëherë ato nuk shkojnë kurrë më tej. Lufta është e lidhur ngusht me politikën. Kush s‘e ka fituar më herët betejën politike, kot hy në luftë. Mjafton t‘i hedhim një shikim rreth e për qark, për t‘u bindur se shndërrimi i UÇK-së në një ushtri popullore nuk ishte një hap i vetëkuptueshëm dhe automatik. „Kur Gjergj Kastrioti-Skenderbeu u kthye në Krujë tha se „lirinë e gjeta midis jush“. Ata që s‘e deshën luftën dhe çmimin e saj të lartë thonë se çlirimi na erdhi nga jashtë. S‘ka asnjë dyshim se pa NATO-në gjithçka do të dukej ndryshe.
Fehmi Lladrovci u lind në vitin e vështirë, 1956, në kohën kur po zhvillohej Aksioni i Mbledhjes së Armëve. Kështu quhej zyrtarisht, por objektivisht ishte një aksion ndëshkimi në stil të gjerë. Historianët e dinë se në këtë aksion u vranë përmes rrahjes dhe torturave të ndryshme, por të tmerrshme qindra burra shqiptarë. Dikush këtë numër e ka fiksuar në shifrën 300 shqiptarë të mbytur mizorisht. Në këtë kohë njerëzit vërshuan drejt Shkupit ku merrnin „visikat“ për të hyrë në Turqi si turq. Konsullata turke e Shkupit punoi natë e ditë për t‘i furnizuar shqiptarët e mjerë me një vizë hyrëse. Adem Demaçi në përmbledhjen e tregimeve „Kur Zoti harron“ ka një tregim gjenial me titullin „Mestani“, ku e tematizon këtë shpërngulje të madhe. Gjithçka ishte llogaritur me saktësi kriminale. Psikoza publike e ndjekjes sipas elaboratit tė Vaso Qubrilloviqit (Ćubrilović) kishte marrë përmasat që i kishte dëshiruar autori i „Isterivanje Arnauta“ ( Dëbimi i shqiptarëve). Në një vepër letrare postmoderne të kohës sonë, në „Enciklopedinë imagjinare“ të shkrimtarit Bajram Kosumi, paraqitet një protagonist i tillë, që e kthyen në shtëpi në batanie, të dërmuar nga rrahja dhe tortura, vdiç në ditën e pestë. Curr Klaiqi ishte në gjendje të rëndë shëndetsore, saqë edhe të fliste nuk kishte forcë, por arriti të artikulojë fjalinë proverbiale e jashtëzakonisht domethënëse: „Po vdes si qen.“ Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe dëshmorët e tjerë të Gradinës në Shkabë vdiçën heroikisht në frontin e luftës 32 vjet më vonë. Brezi i ri i shqiptarëve ishte hedhur në luftë frontale kundër Serbisë, sepse e dinte që alternativa ishte vdekja si „vdekja si qen“. Për të mos vdekur kështu, kishte vetëm një mundësi: organizimi i luftës çlirimtare. Dhe nxënësi i Fazli Grajçevcit e Adem Demaçit, bashkëluftëtari i Adem Jasharit punoi me të gjitha forcat e tij që të organizonte një rezistencë të armatosur. Kjo ushtri, që ishte ngritur si nga një legjendë, s‘kishte shumë armë dhe aftësi ushtarake për t‘i dalë përballë një ushtrie moderne, të armatosur e të stërvitur mirë, por kishte diçka që i mungonte ushtrisë që e rrethoi prijësin me ushtrinë e tij të gatshme për çdo flijim: moralin e fortë luftarak. Ballë për ballë ishin dy ushtri: ushtria e pavdekshme e Fehmi Lladrovcit dhe ushtria serbe, njëra ishte vullnetare, tjetra një ushtri moderne që kishte në arsenalin e saj teknologjitë më të mira të kohës. Megjithatë, në fund fitoi ushtria që kishte njeriun me vete, jo armët. Lufta, që s’fitohet më parë politikisht, është luftë e kotë. Gjashtë muaj pas rënies së Fehmi e Xhevë Lladrovcit në luftë u fut edhe Aleanca ushtarake më e madhe në botë, NATO-ja, kundër Serbisë, dmth. në krahun e UÇK-së. Sot aty-këtu thuhet gjithçka e zezë për luftën tonë çlirimtare, por ajo në histori ka hyrë tashmë si një moment i shkëlqyer dinjiteti i një populli që për lirinë e tij flijoi gjithçka. Pa këtë luftë ne nuk do të ishin këtu ku jemi. Shteti i Kosovës nuk na u servua në pjatë si dhuratë, por ai erdhi pas një lufte të madhe që tërhoqi pas vetes edhe botën liridashëse. Në këtë kuptim Lufta e Kosovës përbën ngjarjen më të madhe në historinë e popullit shqiptar.
Dikur në Drenas e Skënderaj s‘kishte shkollë teknike, ndaj dhe Fehmiu u detyrua të shkonte në Prishtinë. Këtu njohu Rexhep Malën dhe shumë atdhetarë të tjerë.Pas shkollës së mesme, shkoi në Zagreb për të studiuar për maqineri. Në Zagreb ai ra në kontakt me veprimtarë të ndryshëm që e orientuan atë në organizatat ilegale. Megjithatë, edhe Zagrebi i përkiste Jugosllavisë dhe UDB-ja e kishte krahun e gjatë. Syri dhe veshi i saj e vëzhonte dhe përgjonte edhe këtu. Por UDB-ja s’ishte e gjithfuqishme, ajo s‘mundi ta pengojë hyrjen e tij në një organizatë ilegale që vepronte në kuadër të LPRK-së ku ai në kryesi ishte përgjegjës për organizimin e luftës së armatosur. Kur u burgos me 4 nëntor të vitit 1985, UDB-ja ia konfiskoi organizatës një pushkë të markës vinçesterkë.
Në hetime, Fehmi Lladrovci i bëri ballë torturave dhe djallëzisë udbeske, qëndroi. Pas disa muajve në burg hetues u nxor para gjyqit. Në maj të vitit 1986 u dënua me 10 vjet burg. Filloi burgu. E hoqën nga Kosova, e çuan në Kroaci.Nuk kaloi shumë kohë dhe Kroacia, në pranverën e vitit 1991, mbajti një referendum popullor për të ardhmen politike të Kroacisë.Në këtë rrëmujë të madhe, Kroacia mori vendimin për lirimin e të gjithë burgosurëve politikë nga Jugosllavia që pothuajse të gjithë ishin shqiptarë. U lirua edhe Fehmi Lladrovci, i cili qysh në burg u martua me Xhevë Krasniqin-Lladrovcin. Xheva erdhi nuse në shtëpinë e tij kur ai ishte në Burgun e Stara Gradishkës. Një ngjarje me të vërtetë e çuditshme, e pazakontë, por tipike shqiptare: dhëndërri në burg, kurse nusja në shtëpi. Lëndë e shkëlqyer për një vepër letrare. Në pranverën e vitit 1991, në qershor APJ-ja e sulmoi Kroacinë dhe kështu filloi lufta e Kroacisë. Fehmi dhe Xhevë Lladrovci jetonin në Zagreb, kështu që u përfshin në luftën çlirimtare të popullit kroat. Për arsye politike, një pjesë e madhe e shqiptarëve u tërhoqën nga lufta. Franjo Tugjmani (Franjo Tuđman) nuk ishte i sinqertë me shqiptarët, ai çmimin e lirisë kroate donte ta paguante me gjak shqiptar. Fehmiu dhe Xheva u zhvendosën në Gjermani. Këtu zhvillloi një aktivitet të dendur politik. Në vitin 1994, bashkë me disa veprimtarë, organizoi grevën e urisë në kryeqytetin e atëhershëm të Gjermanisë në Bon (Bonn), në shenjë të solidarizimit me grevën e Adem Demaçit në Pallatin e Shtypit „Rilindja“ nė Prishtinë. Demaçi u hodh në grevë urie për shkak se ishte i pakënaqur me politikën e partive shqiptare që nuk bënin pothuajse asgjë. Ato ishin aranzhuar me represionin politik të Serbisë dhe kryefjalë politike të tyren kishin pritjen. Pak kohë më vonë po në Bon u organizua nga LPK-ja një demonstratë për legalizimin e Universitetit të Tetovës ku Fehmi Lladrovci ishte në mesin e organizatorëve dhe demonstruesve. Fehmi Lladrovci shqiptarët i shikonte si shqiptarë, pavarësisht se ku jetonin ata.
Fehmi e Xhevë Lladrovci se bashku me një grup luftetarësh kishin provuar të hyjë në Kosovë edhe më herët, por ishin penguar nga forcat ushtarake serbe në kufi, të cilat vranë Luan Haradinajn dhe plagosën Rafet Ramën, kurse pjesa tjetër e grupit u detyrua të rikthehet në tokën e Shqipërisë londineze dhe pastaj në Gjermani. Kthimi i Fehmi Lladrovcit në Kosovë kishte shumë pengesa. Hija dhe emri i tij ishte kushtrim për liri.Biseda ime e fundit me të ishte pikërisht në kohën kur ai e kishte ndarë mendjen për t‘u kthyer përfundimisht në Kosovë. Ai nuk mund të jetonte gjatë jashtë saj, aq më pak në ditët kur atdheu kishte nevojë për të. Edhe sot më tingëllojnë në vesh fjalët e tij profetike: „ Na qoftë për hajr lufta“. Baci Fehë gjithmonë ka qenë i lidhur me luftën, edhepse ai e dinte se ajo ishte e rrezikshme. Në jetën e tij politike, busulla e orientimit ishte lufta çlirimtare. Luftën çlirimtare e shihte si një moment të pashmangshëm në rrugën tonë drejt lirisë, të domosdoshme, por jo e mjaftueshme.Shumë popuj luftonin për liri, por ndonjëherë udha e tyre zgjatej pafundësisht shumë. Në rastin e Kosovës, parashikonte një udhë të shkutër, por të larë me gjak. Parashikimi i tij doli, sepse në luftën tonë u inkuadrua Perëndimi përmes NATO-së. Në luftë i pa të gjitha, por nuk u dëshpërua kurrë, sepse e dinte që njerëzit s’ishin hyjni. Dhe luftë pa njerëz nuk ka.E dinte se lufta i do të gjithë në front, të bashkuar. Mangësitë dhe njëanshmëritë i urrente, por e çmonte pa masë gatishmërinë për luftë. Kjo mendësi e bëri atë të padëshirueshëm te të gjithë ata që jo pa djalllëzi donin të krijonin një atmosferë tjetër, të përçarjes përmes ndarjes në taborre të ndryshme politike. UÇK-ja është luftuar vazhdimisht me operacione speciale tė agjenturave. Fehmi Lladrovci e konsideronte luftën një çështje që i përkiste të gjithëve dhe jo një çështje e monopolit të pakicës. „To be or not to be“, një çështje për jetë a vdekje, pikërisht ashtu siç thuhet në „Hamletin“ e Shekspirit (Shakespeare).
Nuk dua të përdor ndonjë fjalë tjetër për Fehmi Lladrovcin. Po e quaj thjesht prijës. Gazetari anglez i BBC-së Lion (Lyon), që i njihte lëvizjet kryesore guerile në botë, pati thënë se në pamje fizike, askush tjetër nga luftëtarët e UÇK-së s‘i ngjante aq shumë si Fehmi Lladrovci Skenderbeut. Nuk e di a i njihte këto fjalë të gazetarit të BBC-së kur ishte gjallë, por edhe sikur të ketë qenë në dijeni të tyre ai do t’i kishte interpretuar ato vetëm si një shprehje dashamirësie dhe kurrë si diçka tjetër.Kurrë s‘do t‘i kishte shkuar mendja ta krahasonte veten me Skenderbeun, por si model të atdhetarit të madh ai e kishte pasur gjithmonë në jetë figurën e tij. Fehmi Lladrovci ishte një udhëheqës karizmatik. Ai bënte që çdo ushtar i tij të ndihej mirë në këtë përpjekje titanike për çlirim, sepse e dinte sesa e vështirë ishte kjo luftë. E megjithatë thoshte se s‘i mungonte asgjë. Një gazetare shqiptare që e vizitoi në llogoret e luftës, Jeta Xharra, disa muaj para se të binte në fushën e betejës,Ai i pati thënë se nuk na duhet asgjë, i kemi të gjitha. Një ushtri me një moral të tillë vërtet i kishte të gjitha. Dikujt që ka vendosur të vdes për liri me të vërtetë nuk i mungon asgjë.
Fehmi Lladrovci kishte në shkollë një mësues që e njeh mbarë populli shqiptar: Fazli Grajçevcin. Fehmiu kurrë nuk harroi mësuesin e tij. Figura e tij atdhetare ishte skalitur në kujtesën e tij në mënyrë të pashlyeshme. Me këtë ideal për flamurin shqiptar si mësuesi i tij Fazli Grajçevci, ai nuk mund të kishte fund tjetër. Këto ideale e çuan atë në burg ku takoi mësuesin e tij politik të madh: Adem Demaçin. Me këta mësuesë, ai nuk mund të vepronte ndryshe, veçse si luftëtar kombëtar. Në librin monografik të Bedri Islamit „Përjetësia e dyfishtë“ kemi një kapitull ku ai përgatitet për fundin e tij të lavdishëm. Pak kohë para 22 shtatorit 1998 mori vesh se ushtria serbe ia kishte mësyer Shkabës, Drenicës, ku ai ishte me ushtrinë e tij, Brigadën 114. Fehmi Lladrovci vizitoi shtëpinë e tij dhe i dha në njëfarë mënyre lamtumirën e fundit rrethit të tij. Ky episod i jetës së tij, e trondit çdo lexues të vëmendshëm. Ai e ndjente se këtë ofenzivë s‘e mbijetonte dot, por s’pendohej për luftën e tij, sepse shumë njerëz që kishte takuar në jetë dhe që e kishin frymëzuar për veprim atdhetar nuk i takonin prej vitesh këtij universi. Atdhetarë e luftëtarë të shumtë ishin vrarë në mbarë Kosovën. Ai nuk e shihte veten jashtë kësaj çete luftetaresh. Miku i tij, Bekim Berisha, po atë verë kishte rënë heroikisht në Junik. Rrethi po ngushtohej, por heroi nuk po ligej. Përkundrazi. Ai ishte më i vendosur se kurrë për luftën. Kështu, me qëndrimin e trimave të lashtë, ai mbeti në kujtesën e ushtarëve të tij që mbetën gjallë.
Fehmi e Xhevë Lladrovci mbeten shembull i përkushtimit, guximit dhe sakrificës për lirinë e Kosovës, një trashëgimi që do të frymëzojë brezat e ardhshëm.