Fejza: Çfarë synon opozita me zgjedhje? 80 deputetë janë të pamundur – nuk i synojmë as ne
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se është e habitur me partitë opozitare që kanë përkrahur dekretin e presidentes Osmani për zgjedhje të reja, pas dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Fejza ka thënë paritë opozitare duhet të tregojnë se çka synojnë në zgjedhje, pasi sipas saj nuk ka ndryshuar asgjë nga zgjedhjet e fundit.
Deputetja e LV-së ka thënë se është absurde të synojnë t’i marrin 80 deputetë, ngjashëm si ka thënë që një synim të tillë nuk e kanë as ata si parti politike.
“Është e habitshme gatishmëria e partive opozitare për me shkuar në zgjedhje. Është e rëndësishme që ata ta sqarojnë se çka synojnë me këtë idenë që me shkuar në zgjedhje. S’ka ndryshuar asgjë nga zgjedhjet e fundit. Qytetari u ka dhënë një mesazh në atë se çfarë prezantojnë dhe qasjen e tyre për konstituimin e Kuvendit. A po mendojnë ata se do t’i marrin 80 deputetë”, ka thënë Fejza në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”.
Ajo ka thënë se LV-ja nuk është e interesuar për zgjedhje të reja, duke shtuar se ato nuk janë në interes të vendit.
Sipas saj, edhe nëse mbahet zgjedhjet, një marrëveshje për presidentit do të jetë përsëri e nevojshme.
“LV-ja nuk është duke dashur të shkojë në zgjedhje, jemi të gatshëm, por ky nuk është interesi i vendit. Nuk synojmë me i pas 80 deputetë, por është e pamundur t’i kenë partitë opozitare. Edhe nëse shkojmë në zgjedhje do të na duhet që sërish të ulemi dhe të arrijmë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë kësaj jave do t’i ftojë sërish në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për çështjen e presidentit.
Por, kryetarët e dy partive opozitare i janë përgjigjur Kurtit, duke thënë se duhet të pritet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Osmani për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars.



