Ferati: Në hendboll arritëm diçka që konsiderohej ëndërr e parealizueshme

10 mars 2024 | 11:44

Kombëtarja e Kosovës në hendboll U-18, konkurrenca e vajzave, kanë shkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Botëror U-18.

Vajzat dardane u bënë kampione të garës “IHF Trophy Intercontinental”, të mbajtur në Tashkent të Uzbekistanit për t’u bërë kështu pjesë e shteteve më të mëdha që do të luftojnë në Botërorin e Hendbollit që zhvillohet në verën e këtij viti.

Me këtë sukses është shprehur shumë i kënaqur trajneri Mitat Ferati. Ai ka thënë për KosovaPress se kjo arritje vetëm para pak javësh konsiderohej një ëndërr e parealizueshme.

Ferati më tutje shton se pritjet e ekipit që ai drejton janë rritur pas këtij suksese dhe se në botëror shkojnë me synimin për të arritur majat më të larta.

Me t’u kthyer në Kosovë, ekipi i vajzave u pritën nga Komiteti Olimpik dhe Ministria e Sportit, nga të cilët Ferati thotë se kanë marrë premtime për mbështetje më të madhe.

Ai vlerëson se hendbolli është në rrugën e duhur të zhvillimit, por bën thirrje për më shumë investime në infrastrukturë pasi thotë se në palestra po mungojnë gjërat elementare për ta zhvilluar një stërvitje.

Kampionati Botëror i Hendbollit do të zhvillohet gjatë muajit gusht të këtij viti në Kinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albion Rrahmani ka vazhduar shkëlqimin me fanellën e Rapid Bukureshtit…