Ferati: Synojmë kualifikimin në Botëror

26 shkurt 2024 | 16:40

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll (vajzat) udhëton sonte drejtë Tashkent të Uzbekistanit. Në Uzbekistan, Kosova do të paraqitet në IHF Trophy Intercontinental që mbahet prej 28 shkurtit deri më 3 mars. Finalistët kualifikohen në Kampionatin Botëror që mbahet në verë.

Kosova U18 është grumbulluar më 21 shkurt, ndërsa gjatë fazës përgatitore i ka luajtur tri ndeshje stërvitore. Kosova U18 është në grup me Guatemalën dhe Uzbekistanin. Në grupin tjetër janë Guadalupe, Kaledonia e Re dhe Nigeria.

Më 29 shkurt Kosova luan me Uzbekistanin. Më 1 mars është ndeshja me Guatemalën.

Më 2 mars janë ndeshjet gjysmëfinale dhe ndeshja për vend të pestë. Ndërsa ndeshja për vend të tretë dhe finalja janë më 3 mars.

Kryetrajneri i Kosovës U18, Mitat Ferati, është i kënaqur me gjendjen e Përfaqësueses. “Përgatitjet ishin shumë të mira. I kemi luajtur tri ndeshje që na kanë shërbyer shumë. Është me shumë rëndësi që gjatë përgatitjeve nuk kemi pasur ndonjë lëndim. Na mungojnë vetëm vajzat që nuk kanë mundur të grumbullohen fare. Në përgjithësi jam i kënaqur me gjendjen e ekipit”, ka thënë Ferati.

Ai ka konfirmuar ambiciet e mëdha. “Qëllimi është të sigurojmë kualifikimin në Botëror, natyrisht. Shkojmë për t’i fituar të gjitha ndeshjet. Jemi prej favoritëve dhe këtë duhet ta konfirmojmë me lojëra të mira. Natyrisht ndeshja e parë është shumë e rëndësishme për motivimin e ekipit. Shpresojmë të nisim mbarë dhe të vazhdojmë deri në fund”, ka shtuar Ferati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Jam vërtet krenar që kam mbushur tetë vjet si president…