Ferizaj rikthehet te fitorja, Dukagjini dhe Prishtina e Re ndahen në barazim

05 tetor 2025 | 18:57

Në kuadër të javës së tetë të AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll, sot janë zhvilluar dy ndeshje tjera, ku Ferizaj arriti të rikthehet te fitorja pas pesë humbjeve rresht, ndërsa përballja mes Dukagjinit dhe Prishtinës së Re përfundoi pa fitues.

Në ndeshjen e zhvilluar në Ferizaj, skuadra vendase triumfoi ndaj Drenicës, me rezultat 2:0. Kjo ndeshje shënoi debutimin me fitore për trajnerin Nevil Dede, i cili mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Arsim Abazit.

Ferizaj kaloi në epërsi në minutën e 27-të, kur Valmir Nafiu realizoi me saktësi nga penalltia për 1:0.

Ndërkaq, në minutën e gjashtë të kohës shtesë, Donart Llabjani, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë, vulosi fitoren me golin e dytë për Ferizajn.

Pas kësaj fitoreje, skuadra ferizajase ngjitet në pozitën e shtatë të tabelës me 9 pikë, ndërsa Drenica mbetet në vendin e katërt me 11 pikë.

Ndërkohë, në Klinë, ndeshja mes Dukagjinit dhe Prishtinës së Re, e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori”, përfundoi me barazim 1:1.

Prishtina e Re kaloi në epërsi në minutën e 65-të me golin e Toni Gomes, i cili shfrytëzoi një top të kthyer pas goditjes së Patrick Friday Ezes dhe pritjes së portierit Cyrus Margono.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, vendësit arritën të barazonin rezultatin. Albion Pllana realizoi me kokë në minutën e 71-të, duke i siguruar skuadrës së Dukagjinit një pikë.

Pas këtij barazimi, Dukagjini ruan pozitën e tretë me 14 pikë, ndërsa Prishtina e Re renditet në vendin e tetë me 7 pikë.

Renditja tabelare mund të pësojë ndryshime pas ndeshjes së fundit të kësaj jave, që zhvillohet të hënën ndërmjet Gjilanit dhe Dritës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përparim Rama pritet me entuziazëm në rrugën “Bajram Kelmendi”, atmosferë…