
Fermerit nga Stublla e Vitisë i digjet stalla me 42 dele brenda
Një fermer është dëmtuar rëndë nga zjarret e sotme në Stubëll të Vitisë. Atij i është djegur stalla me 42 dele brenda. Tek i dëmtuari shkoi për vizitë kryetari i komunës, Sokol Haliti.
“Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, vizitoi nga afër fermerin nga Stublla e Poshtme, të cilit iu dogj shtalla së bashku me 42 dele, në një ngjarje tragjike që ka shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe emocionale për familjen.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Haliti ishte i shoqëruar nga Komandanti i Policisë, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Bujqësisë, të cilët reaguan menjëherë për të vlerësuar dëmet dhe për të ofruar ndihmën e parë në terren.
Kryetari Haliti shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për fermerin dhe familjen e tij, duke theksuar se Komuna e Vitisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të ndihmuar në rikuperimin e dëmeve dhe për të siguruar që familja të mos mbetet vetëm në këtë situatë të rëndë.
Kryetari gjithashtu falënderoi njësinë e zjarrfikësve për reagimin e shpejtë, që bëri të mundur shpëtimin e jetës së një gruaje të familjes, duke parandaluar një tragjedi edhe më të madhe” thuhet në njoftimin e komunës.