Feronieli, veç për fitore ndaj Santa Colomas

28 qershor 2019 | 11:13

KF Feronikeli po mendon vetëm për fitore në ndeshjen ndaj Santa Colomas e cila zhvillohet sonte nga ora 20:45. 

Kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli, është gati ta mposhtë skuadrën e Santa Colomas dhe të kualifikohet në raundin e parë kualifikues ku e pret skuadra e The New Saintsit. Paraqitja e “Niklit” të martën nuk ka qenë bindëse në gjysmëfinale të raundit paraeliminator, por arriti të mposhtë Lincoln Red Impsin me rezultat minimal 1-0 dhe tash po synon ta fitojë edhe finalen ndaj kampiones nga Andorra, Santa Coloma, e cila në finale u kualifikua pas fitores ndaj kampiones së San Marinos, Tre Penne (1-0).

Astrit Fazliu ka thënë për gazetë se skuadra nga Drenasi ka potencial të mjaftueshëm për ta mposhtur skuadrën nga Andorra. “Ndeshja e dytë finale do t’i ketë vështirësitë e veta por ne, sikurse në ndeshjen e parë, do të hyjmë seriozisht dhe besoj se do ta kalojmë edhe Santa Coloman, e cila është një kundërshtare e fitores. Jemi optimistë se mund të shkojmë shumë lart në këto gara për faktin se kemi një ekip cilësor dhe me pak fat mund të arrijmë suksese të mëdha”, ka thënë Fazliu.

Për ndeshjen ndaj Santa Colomas ka folur edhe trajneri Zekrija Ramadani. Edhe ky i fundit beson në fitore. “Pas lojës së parë mendoj se do të jetë më mirë të premten ku synojmë fitore. Kemi në dispozicion 24 lojtarë dhe të gjithë janë të gatshëm ta japin maksimumin. Për momentin na intereson vetëm Santa Coloma, por nuk e kemi ndërmend të ndalemi derisa të na ndalë ndokush”, ka deklaruar Ramadani. Duhet cekur se nëse Feronikeli sonte e fiton finalen, atëherë do të luajë më 9/10 dhe 16/17 korrik ndaj The New Saintsit dhe nëse e kalon edhe këtë skuadër, atëherë në rrethin e dytë do të takohet me kampionen nga Danimarka, Kobenhavn. Ndeshja Feronikeli – Santa Coloma zhvillohet të premten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Italia është duke u përballur me presion në rritje pasi…