Festat e shtrenjta: Çmimet rrisin barrën për familjet kosovare

09 dhjetor 2025 | 15:42

Familjet në Kosovë po përballen me vështirësi financiare gjatë festave të fundvitit, për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe ushqimore. Ekspertët paralajmërojnë se tregtarët shfrytëzojnë periudhat festive për të ngritur çmimet, ndërsa institucionet shtetërore kanë kontroll të kufizuar mbi tregun. Remitencat e diasporës mbeten faktor kyç për mbajtjen e konsumit dhe stabilitetit financiar të familjeve.

Në Kosovë, festat e fundvitit nuk janë thjesht kohë gëzimi – për shumë familje, ato janë një provë reale financiare.

Çmimet e larta të produkteve bazë, ushqimore dhe të energjisë e bëjnë të vështirë përballimin e shpenzimeve festive për familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.

Besim Krasniqi, punonjës në sektorin privat me një pagë prej 550 eurosh në muaj, duhet të kursejë gati gjysmën e të ardhurave mujore vetëm për të përballuar shpenzimet e natës së Vitit të Ri, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

“Çdo ditë dal në dyqane dhe i hulumtoj çmimet. Një kilogram mish i terur është 26.00 euro, ndërsa mishi i kuq i viçit ka arritur në 16.00 euro. Kjo është jashtë normales”, thotë ky banor i Prishtinës për Radion Evropa e Lirë.

Familja e tij 6-anëtarëshe mbështetet vetëm te paga e tij, dhe vitin e kaluar shpenzoi rreth 200 euro për festat. Sivjet parashikon të shpenzojë të paktën 270 euro, për shkak të rritjes së çmimeve.

“I kam katër fëmijë dhe ata kanë kërkesa – dekorime, ëmbëlsira, pije, mish e gjëra tjera”, thotë Krasniqi.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo rritje e çmimeve nuk është e rastësishme.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, thotë se tregtarët shpesh shfrytëzojnë periudhat festive për të ngritur çmimet.

Kjo situatë, sipas tij, ushtron presion të madh mbi familjet me të ardhura të kufizuara, veçanërisht kur më shumë se gjysma e pagës mujore shkon për konsum.

Statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se trendi i rritjes së çmimeve ka nisur që muaj më parë.

Sipas të dhënave të fundit, në tetor të këtij viti, çmimet e konsumit janë rritur për 5.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Rritjet më të mëdha janë regjistruar tek energjia elektrike (+20%), pemët (+15.3%), kafeja e çaji (+13%), mishi (+12.3%), qumështi, djathi dhe vezët (+7.5%).

Paga mesatare bruto në Kosovë është 639 euro, ndërsa të dhënat e ASK-së tregojnë se mbi 55% të kësaj page qytetarët e shpenzojnë vetëm për konsum.

Ky raport i lartë mes të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas ekspertit Mulaj, dëshmon qartë sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen konsumatorët për ta mbajtur nën kontroll koston e jetesës.

Ai thekson se disa nga produktet kryesore në tregun kosovar, si mielli, kushtojnë më shumë sesa në tregun e Bashkimit Evropian – gjë që bëhet edhe më problematike kur merret parasysh niveli më i ulët i pagave dhe standardi i jetesës.

“Kjo shprehi e rritjes së çmimeve lë hapësirë për dyshime mbi marrëveshje të mundshme apo keqpërdorim të pozitës dominuese nga disa kompani”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë.

Një problem tjetër kritik mbetet mungesa e kontrollit institucional.

“Tregtarët, në një mënyrë, janë bërë aq të fuqishëm, saqë edhe institucionet ekzekutive dhe ato të pavarura e kanë të vështirë të hyjnë në një ballafaqim profesional dhe të drejtpërdrejtë me ta, sepse për 20 vjet janë konsoliduar dhe kanë arritur të krijojnë pozita të forta në tregun e Kosovës”, thotë Mulaj.

Përshtypje të ngjashme ka krijuar edhe Krasniqi, i cili thotë se blen vetëm artikuj në zbritje.

“Tregtarët nuk frikësohen. Nuk ka as kontroll të çmimeve, as inspektime”, sipas tij.

Çmimet e produkteve i përcaktojnë vetë tregtarët, në bazë të konkurrencës dhe raportit ofertë-kërkesë.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Inspektorati i Tregut monitorojnë tregun.

Megjithatë, asnjëri prej këtyre institucioneve nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të sqaruar nëse qytetarët kanë paraqitur ankesa për ngritjen e çmimeve, apo nëse parashihen kontrolle shtesë gjatë këtij muaji, kur vendi hyn në periudhën e festave të fundvitit, në të cilën çmimet tradicionalisht rriten.

Në këtë situatë, remitencat e diasporës bëhen një mbështetje jetike.

“Pa diasporën”, thotë Mulaj, “Kosova do të kishte probleme të jashtëzakonshme ekonomike”.

Këto dërgesa, ashtu si dhe vizitat e mërgimtarëve gjatë sezonit të pushimeve përmirësojnë dukshëm standardin e jetesës dhe mbajnë gjallë konsumimin, sipas tij.

Vlera e remitencave deri më tash këtë vit ka kaluar 1 miliard euro.

Shkrimi i plotë në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/festat-shtrenjta-cmime-barre-familje-kosovare/33618357.html

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot ka nisur një rrugëtim i ri për Trim Sylën.…