
Festë në Serbi, Amerika ia ktheu shpinën Kosovës! – Bravo Albin Kurti!
“ShBA-ja sapo i dha shuplakë Prishtinës: Suspendim, dhe atë pa afat”, është një titull i medias pro-qeveritare serbe, B92.
“Ndëshkim nga Uashingtoni. ShBA ndërpret bashkëpunimin me Prishtinën për shkak të Kurtit”, është titulli i artikullit të medias tjetër pro-qeveritare serbe “Alo”.
Ndërkaq media tjetër, po ashtu pro-qeveritare serbe, “Informer”, doli me këtë titull: “Fitore e vogël e diplomacisë serbe: Amerika ‘ia ftohu’ Kurtit, pezullon dialogun me Prishtinën”.
Këto janë disa prej titujve të mediave në Serbi pas njoftimit të ShBA-së se ka vendosur të pezullojë Dialogun Strategjik me Kosovën.
“Informer” shkruan se “kjo është gjë e madhe për Serbinë, e cila deri në fund të vitit nis dialogun strategjik me Amerikën”.
B92 thotë se kjo masë e ShBA-së vjen “pas ankesës së Listës Serbe për mënyrën e zgjedhjes së zëvendëskryetarit të Kuvendit nga komunitetet joshumicë”.
Edhe “Sputnik” në Serbi, që është degë e medias ruse me po të njëjtin emër, ka raportuar për këtë zhvillim, me titullin “Ekspres ndëshkim: ShBA-ja pezullon dialogun strategjik të planifikuar me Prishtinën”.
“Alo”, në artikullin e saj për këtë çështje, thotë se “ShBA-ja ka pezulluar dialogun strategjik me Prishtinën për shkak të provokimeve nga Albin Kurti”.
“Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të pezullojnë dialogun strategjik me Prishtinën për një kohë të pacaktuar, duke treguar qartë se janë të ngopur me tensionet dhe paqëndrueshmërinë e shkaktuar nga kryeministri Albin Kurti”, shkruan ky medium serb.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar Dialogun e Planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti. Veprimet e ekzekutivit kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”, tha sot ambasada amerikane në Prishtinë, raporton Klankosova.tv.