
Festivali ‘EXIT’ largohet nga Serbia pas presioneve nga qeveria e Vuçiqit
Njëri nga festivalet më të mëdha të muzikës në Evropë, EXIT, ka njoftuar se nuk do të mbahet më në Serbi pas ndërprerjes së financimit nga qeveria serbe për shkak të mbështetjes që festivali i ka dhënë protestave studentore anti-korrupsion në atë vend, raporton The Guardian
EXIT, i cili mbahet çdo korrik në kalanë mesjetare të Petrovaradinit në qytetin e Novi Sadit, u themelua në vitin 2000 nga aktivistë studentorë që ishin pjesë e lëvizjes që rrëzoi diktatorin Sllobodan Millosheviq. Me çmime të përballueshme dhe emra të mëdhenj të skenës botërore, festivali është vlerësuar si një prej ngjarjeve më të mëdha dhe me ndërgjegje sociale në Evropë, ku vetëm në vitin 2024 ka mbledhur mbi 210,000 vizitorë nga më shumë se 80 shtete.
Megjithatë, organizatorët njoftuan të premten se edicioni i 25-të i këtij viti, që do të mbahet nga 10 deri më 13 korrik, “do të jetë i fundit që zhvillohet në Serbi”, duke përmendur “presione jodemokratike” nga qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq.
Novi Sadi është shndërruar në epiqendër të protestave që kanë përfshirë Serbinë që nga tragjedia e një viti më parë, kur një mbulesë betoni u shemb mbi një trotuar të mbushur me kalimtarë në stacionin qendror të qytetit, duke lënë të vdekur 14 persona. EXIT ka mbështetur publikisht protestuesit studentorë, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit përgjegjës dhe një hetim të plotë për rastin.
Festivali ka dhuruar ushqim dhe thasë për gjumë për protestuesit që kanë bllokuar hyrjet në universitete dhe ndërtesa komunale, dhe këtë vit planifikon t’u japë aktivistëve një skenë të veçantë brenda festivalit.
Por pikërisht kjo qasje kritike ndaj qeverisë ka bërë që autoritetet të ndalojnë rreth 1.5 milionë euro në grante shtetërore dhe rajonale për turizmin, ndërsa disa sponsorë janë tërhequr nga bashkëpunimi. Themeluesi i festivalit, Dušan Kovaceviq, tha se festivali ka nevojë për rreth 15% mbështetje direkte nga qeveria për të mbetur i përballueshëm për publikun, por zakonisht i sjell ekonomisë serbe afro 25 milionë euro në vit.
“E vetmja mënyrë për të vazhduar festivalin pas këtij viti do të ishte të mos ishim më të lirë nga ndikimi politik. Dhe këtë nuk mund ta pranojmë. Nuk mund të jemi të kërcënuar,” tha Kovaceviq.
Autoritetet serbe pretendojnë se vendimi i tyre ka të bëjë me “ripozicionim strategjik” dhe arsye financiare, jo me motiv politik.
“Ata po përpiqen të qeverisin përmes frikës,” shtoi Kovaceviq. “Kjo nuk është rruga e duhur, sidomos në një vend me një histori politike si ajo e Serbisë.”
Ai konfirmoi se janë duke u zhvilluar bisedime për organizimin e edicioneve “EXIT në ekzil” që nga viti 2026, pas ftesave për të mbajtur festivalin në Gjermani, disa shtete të Ballkanit dhe në Egjipt. “Mund ta bëjmë për një vit, ndoshta dy, ndoshta pesë,” shtoi ai.
Këtë vit, EXIT do të ketë në skenë emra si The Prodigy, Sex Pistols, DJ Snake dhe këngëtaren ruse Nina Kraviz.
Për pyetjen nëse festivali do të rikthehet ndonjëherë në Serbi, organizatorët u përgjigjën: “Është ende herët për të thënë nëse dhe në çfarë kushtesh festivali mund të kthehet.”
Qeveria është kontaktuar për koment, por ende nuk ka reaguar.