
Fetahu i AKB-së: Ekonomia në rrezik – bizneset nuk do të heshtin më!
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve – Zyra e Rrafshit të Dukagjinit, Mr. Sci. Argjend Fetahu, ka deklaruar sot se vendimi për kalimin e detyruar të mbi 1,300 kompanive në tregun e lirë të energjisë elektrike po rezulton në goditjen më të rëndë për sektorin privat në vitet e fundit. Sipas tij, institucionet përkatëse janë të papërgatitura për pasojat e këtij vendimi, të cilat tashmë po ndihen thellësisht në të gjithë ekonominë vendore.
Fetahu tha se ky nuk është liberalizim i tregut, por një veprim i planifikuar pa përgatitje dhe me pasoja të rënda, që po rezulton në mbyllje fabrikash, pushime nga puna dhe rritje të papërballueshme të kostove për bizneset dhe qytetarët. Shumë kompani prodhuese në rajonin e Dukagjinit dhe në gjithë Kosovën tashmë kanë ndalur operimin përkohësisht ose përfundimisht, duke rrezikuar zinxhirin ekonomik të brendshëm dhe kapacitetin eksportues të vendit.
Ai theksoi se situata është edhe më alarmante për prosumerët – ata që kanë investuar në energjinë solare – të cilët sot trajtohen padrejtësisht si barrë për sistemin energjetik. Energjia e prodhuar nga ta jepet falas në rrjet, ndërsa kur u nevojitet për operim, janë të detyruar ta blejnë me çmime të papërballueshme. Një paradoks i dhimbshëm që dekurajon inovacionin dhe iniciativën private.
Për më tepër, Fetahu ngriti alarmin për mungesën e konkurrencës reale në tregun e ashtuquajtur “të lirë”. Sipas tij, pa mundësi zgjedhjeje dhe pa furnizues të shumtë, ky nuk është treg i hapur, por një treg i kontrolluar, ku bizneset nuk kanë hapësirë për negociim dhe ku çmimet janë të padrejta dhe të pandryshueshme.
Në emër të komunitetit të bizneseve, ai paralajmëroi protesta të reja dhe më të mëdha. Protesta e parë ishte vetëm një sinjal. Protesta që vjen do të jetë masive, e strukturuar dhe e pandalshme, përballë vendimeve të padrejta që po rrezikojnë mbijetesën ekonomike të vendit.
Fetahu theksoi se Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe gjithë komuniteti i bizneseve është plotësisht i paanshëm politikisht, dhe i bëri thirrje publike të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve apo interpretimeve të gabuara që këto protesta janë të lidhura me ndonjë agjendë politike.
– “Ne nuk kemi të bëjmë me asnjë vijë politike. Ne përfaqësojmë biznesin, punën, prodhimin dhe ekonominë e vendit. Kërkesat tona janë të drejta, të qarta dhe shumë konkrete: ndaljen e dëmeve dhe kthimin e stabilitetit ekonomik. I bëjmë thirrje Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, që për shumë punë të mira që ka bërë më parë, të dëshmojë veten edhe në këtë sfidë vendimtare për ekonominë, njësoj siç ka dëshmuar në fusha të tjera. Kjo është koha për vendime të mençura dhe veprim të shpejtë.”
Në fund, Fetahu ritheksoi tri kërkesat thelbësore dhe emergjente të komunitetit të bizneseve:
- Shtyrje për së paku 12 muaj e detyrimit për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë;
- Përfshirje e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve të bizneseve në proceset vendimmarrëse të ZREE-së, për të garantuar transparencë dhe përfaqësim real;
- Rishikim i menjëhershëm i tarifave dhe kushteve të tregut të hapur, bazuar në të dhëna reale dhe analizë të ndikimit ekonomik.
– “Nëse nuk ka reflektim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse, atëherë do të përballemi me një reagim të fuqishëm, të koordinuar dhe të legjitimuar nga e gjithë bota e biznesit. Ky nuk është vetëm një debat për tarifa – është një betejë për mbijetesën e ekonomisë sonë.”