Fetahu i AKB-së: ZRrE-ja po fundos bizneset – protesta e ardhshme do të jetë e fuqishme dhe e pandalshme!

02 qershor 2025 | 15:52

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve – Zyra e Rrafshit të Dukagjinit, Mr.sci. Argjend Fetahu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për kalimin e detyrueshëm të konsumatorëve komercialë në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke e cilësuar si një vendim të njëanshëm, të dëmshëm dhe të pakoordinuar që rrezikon gjithë ekonominë private në vend.

-“Ky nuk është reformë – është një ndëshkim institucional ndaj sektorit privat. Vendimi është marrë pa paralajmërim, pa analizë të ndikimit dhe pa asnjë proces konsultues me komunitetin e biznesit. Barra e krizës energjetike po hidhet e tëra mbi supet e bizneseve – ndërkohë që institucionet rrinë spektatore. Nëse ky vendim nuk tërhiqet menjëherë, protestat janë të pashmangshme. Dhe kësaj radhe do të jenë më të fuqishme dhe më radikale,” – paralajmëroi Fetahu.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1,300 biznese komerciale janë të detyruara të kalojnë në treg të lirë me tarifa të papërballueshme dhe pa alternativë reale për zgjedhje. Këto biznese përfaqësojnë mbi 143,000 vende pune, që tani janë seriozisht të rrezikuara.

-“Kjo është një padrejtësi ekonomike që po e varros sektorin privat. Bizneset nuk mund të përballojnë një faturë shtesë për infrastrukturën energjetike që kap mbi 50 milionë euro – e aq më pak kur jemi në mes të një inflacioni të vazhdueshëm. Në vend të kësaj, Qeveria duhet të mbrojë tatimpaguesit – pra vetë bizneset – duke e marrë ajo këtë barrë përkohësisht mbi vete, përmes subvencionimit të drejtpërdrejtë ndaj ZREE-së. Kjo është mënyra e vetme për të evituar kolapsin,” – theksoi ai.

Fetahu po ashtu ngriti shqetësime për mungesën e konkurrencës së drejtë:

-“Tregu i lirë pa konkurrencë është maskim i një monopoli. Aktualisht, bizneset nuk kanë ofertues të mjaftueshëm për të negociuar çmime reale dhe transparente. Nëse duam një treg vërtet të lirë dhe demokratik, atëherë duhet të hapet gara për më shumë kompani furnizuese, në mënyrë që bizneset të kenë zgjedhje të vërtetë dhe çmime të balancuara.”

Ai shtoi se kjo situatë ka krijuar jo vetëm presion të madh mbi ndërmarrjet, por edhe rritje të menjëhershme të çmimeve për konsumatorët finalë, duke prekur drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve.

-“Nuk do të pranojmë që ky ‘eksperiment’ të bëhet në kurriz të sektorit privat. Protesta e parë ishte një paralajmërim. Protesta e dytë do të jetë shumë më serioze dhe e strukturuar – e me pjesëmarrje masive. Komuniteti i biznesit nuk do të rrijë më duarkryq,” – përfundoi Fetahu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Milazim Krasniqi Nga faktet që janë zbuluar tashmë, mund…