Fetahu sheh “mungesë elementare të njohjes së Kushtetutës” nga Osmani pas propozimit të amandamenteve
Juristi Faton Fetahu ka reaguar pasi Vjosa Osmani procedoi në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit.
Amendamentet janë hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
Fetahu e ka cilësuar nismën si “të papërgjegjshme dhe juridikisht absurde”.
“Nisma për procedimin dhe votimin e amendamenteve që janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën është e papërgjegjshme”, ka deklaruar ai për gazetën Express.
Ai i është referuar edhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Sipas Fetahut, në aktgjykimet KO29/12 dhe KO48/12 është konstatuar se Amendamenti 3 bie ndesh me Kapitullin II të Kushtetutës.
“Si mund të propozohet për votim një amendament që nuk ka kaluar testin kushtetues?”, ka pyetur ai.
Sipas tij, një veprim i tillë përbën “mungesë elementare të njohjes së Kushtetutës”.



