
FFK-ja: Gjithçka gati për fillimin e stinorit pranveror
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës.
KE analizoi përgatitjet për fillimin e stinorit pranveror dhe konstatoi se organet relevante të FFK-së kanë kryer dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin sa më të mirë të garave. Gjyqtarët i kanë mbajtur testet e nevojshme dhe kanë treguar përgatitje shumë të mira, duke dëshmuar gatishmëri për fillimin e garave.
“Klubet i kanë kryer përgatitjet e tyre, sikur edhe kanë bërë transferimet sipas nevojave të tyre. KE vlerëson se çdo gjë është e gatshme për fillimin e garave të stinorit pranveror dhe gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe masat e Udhëzimit të IKShP-së për Covid-19”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
KE do të vazhdojë përpjekjet dhe përgatitjet që sa më parë të instalojë edhe sistemin VAR, që do të ishte një ndihmesë e madhe në mbarëvajtjen e garave. KE, gjithashtu, do t’i mbështesë klubet në pikëpamje financiare brenda mundësive të lejuara.
KE shqyrtoi dhe miratoi edhe Memorandumin e Bashkëpunimit me Federatën e Futbollit të Turqisë si shumë të dobishëm në të gjitha fushat, në veçanti në përkrahje të infrastrukturës, organizimin e kampeve për të gjitha ekipet kombëtare si dhe për instalimin e sistemit VAR.
KE diskutoi edhe për zhvillimin e të gjitha ekipeve kombëtare në këtë kohë kur ka reflektuar edhe pandemia Covid-19. KE shqyrtoi edhe ankesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi.
/Epoka e re/