
FFK-ja i bashkohet projektit evropian “Move Up” të ERASMUS
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i është bashkuar projektit “Move Up”, një iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila ka për qëllim promovimin e përgjegjësisë sociale përmes sportit. Ky projekt synon të ndikojë pozitivisht në mirëqenien fizike dhe mendore të qytetarëve, me fokus të veçantë në grupmoshat më të shtyra.
Përmes këtij projekti, sporti shfrytëzohet si mjet për të përmirësuar stilin e jetesës së personave të moshës së mesme dhe të tretë, duke kontribuar kështu në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, si diabeti i tipit 2 dhe hipertensioni. Krahas përfitimeve shëndetësore, aktivitete të tilla kanë për qëllim edhe rritjen e socializimit dhe përfshirjes aktive në komunitet të kësaj kategorie të popullatës.
Aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të projektit përfshijnë tre sporte të përshtatura për këtë grupmoshë:
* Futbolli në ecje (Walking Football)
* Basketbolli në ecje (Walking Basketball)
* Catchbolli
Këto sporte janë dizajnuar që të jenë të sigurta dhe të përshtatshme për njerëzit mbi një moshë të caktuar, duke shmangur lëvizjet e rrezikshme dhe duke inkurajuar aktivitet të qëndrueshëm fizik.
Në Kosovë, projekti ka filluar implementimin e tij me pjesëmarrjen aktive të grave mbi moshën 40 vjeç dhe burrave mbi moshën 50 vjeç, të cilët do të angazhohen në aktivitete sportive në baza javore.
FFK, përmes këtij angazhimi, tregon përkushtimin e saj për të promovuar sportin si një faktor kyç në shëndetin publik dhe integrimin social, duke tejkaluar rolin tradicional të sportit vetëm si garë apo argëtim.