FFK-ja kërkon nga Ministria e Shëndetësisë lejimin e fillimit të stërvitjeve

05 gusht 2020 | 21:56

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, që ta lejojë rifillimin e përgatitjeve në futboll. Zemaj ka konfirmuar se të premten do ta mbledhë këshillin për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe do ta konsultojë atë për të dhënë një vendim të shpejtë dhe të arsyeshëm.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kanë takuar të mërkurën ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj. Drejtuesit e FFK-së kanë kërkuar nga ministri Zemaj lejimin e mbajtjes së stërvitjeve, pasi kampionati do të fillojë më 12 shtator. “Drejtuesit e FFK-së e njoftuan ministrin për situatën shëndetësore dhe nevojën për të filluar me stërvitje të gjitha kategoritë e futbollit, nga shkollat e futbollit e deri te klubet e të gjitha ligave dhe rangjeve, përfshirë edhe futbollin e femrave dhe futsallin. Drejtuesit e FFK-së theksuan se është shumë e nevojshme që të fillojnë sa më parë stërvitjet përgatitore për kampionatin e ri ngaqë garat planifikohet të fillojnë më 12 shtator, kurse ka mbetur shumë pak kohë për ekipet”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kanë mbetur vetëm edhe pesë javë para fillimit të kampionatit, që është kohë jo e mjaftueshme për fazën përgatitore. Gjatë këtij takimi me theks të veçantë u diskutua për shkollat e futbollit dhe nevojën për të stërvitur që të mos stagnohet me zhvillimin e kategorive të reja. Sipas njoftimit, drejtuesit e FFK-së janë zotuar se do ta respektojë protokollin strikt për shëndetin e futbollistëve.

Në anën tjetër, ministri Zemaj ka thënë se të enjten do ta mbledhë këshillin për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe do t’i konsultojë ata për të dhënë një vendim të shpejtë dhe të arsyeshëm, duke pasur parasysh rëndësinë e stërvitjeve që futbollistët t’i mbajmë në formë.

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti i Prishtinës për Studime Politike, PIPS, ka publikuar listën…