
FFK: Nesër mbahet Kuvendi Zgjedhor
Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahet nesër (e mërkurë) nga ora 11:00. Ky lajm është konfirmuar nga FFK-ja me anë të një njoftimi për medie.
FFK-ja po ashtu njoftoi se vetëm një medium do të lejohet që të jetë i pranishëm në sallën ku do të mbahet Kuvendi, i cili do të transmetohet drejtpërdrejte në Art Motion dhe faqen zyrtare të federatës.
“Federata e Futbollit e Kosovës ju njofton se nesër (më 6 prill 2022) në ora 11:00 do të mbahet Kuvendi i Rregullt Zgjedhor. Kuvendi mbahet në selinë e FFK-së. Për shkak të hapësirës dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve, ju bëjmë me dije se kësaj radhe është e pamundur të krijojmë hapësirë edhe për mediat në përcjelljen e kuvendit. Megjithatë, Kuvendi do të transmetohet drejtpërdrejt në Art Motion si dhe në rrjetet sociale të FFK-së, prandaj të gjithë ecurinë e Kuvendit do të mund ta ndiqni drejtpërdrejt. Pas përfundimit të Kuvendit, presidenti Ademi njëherësh kandidati i vetëm në zgjedhjet e 6 prillit, do të jetë në dispozicion për prononcuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Agim Ademi është kandidati i vetëm në garë për kryetar të FFK-së, pasi Gramoz Vokrri u eliminua nga kjo garë për shkak të disa nënshkrimeve të delegatëve të cilat ishin shpallur të pavlefshme.
/Epoka e re/