FFK shpall “Laureatët e Vitit 2025”, Ademi: Viti 2025 ishte vit i suksesshëm

21 dhjetor 2025 | 18:55

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe zëvendëspresident i UEFA-s, Armando Duka, ka vlerësuar lart zhvillimet dhe sukseset e futbollit të Kosovës, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2025” të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Duke e cilësuar ceremoninë si një mbrëmje të veçantë, Duka theksoi se futbolli flet më së miri në fushë dhe se kjo mbrëmje ishte një mundësi për të festuar punën dhe sakrificat e bëra gjatë gjithë vitit.

“Kjo është një mbrëmje unike për të festuar gjithçka që është bërë gjatë një viti në futboll. Futbolli flet në fushë, ndërsa djemtë dhe vajzat kanë sakrifikuar shumë për të arritur këto suksese,” u shpreh Duka.

Ai vlerësoi zhvillimet e mëdha të futbollit në Kosovë, duke i cilësuar ato si kulmi i punës së bërë ndër vite, ndërsa shprehu kënaqësinë për rezultatet e arritura nga Përfaqësuesja e Kosovës nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda.

“Zhvillimet në futbollin e Kosovës janë të mëdha. Përfaqësuesja e Kosovës, nën drejtimin e Franco Fodës, ka arritur rezultate fantastike, duke kënaqur tifozët kudo që jetojnë shqiptarët,” theksoi ai.

Në fund të fjalimit, Duka garantoi mbështetje të vazhdueshme për futbollin e Kosovës, si në cilësinë e tij si president i FSHF-së, ashtu edhe si zëvendëspresident i UEFA-s.

“Ju garantoj mbështetje maksimale për futbollin e Kosovës, si nga Shqipëria, ashtu edhe në kuadër të institucioneve të UEFA-s,” përfundoi Duka.

Çeku: Viti 2025 ishte pozitiv për futbollin e Kosovës

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar vitin 2025 si një vit pozitiv për futbollin e Kosovës, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2025”.

Çeku theksoi se përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar rezultate që dëshmojnë se sot është një ekip konkurrues në garat evropiane.

“Rezultatet e Përfaqësueses së Kosovës, Kombëtares së Kosovës, tregojnë se sot jemi një ekip konkurrues në Evropë. Paraqitjet dinjitoze në garat kualifikuese dëshmojnë se futbolli kosovar ka hyrë në një fazë serioze të zhvillimit,” u shpreh Çeku.

Ai shtoi se kualifikimi në fazën play-off për Kampionatin Botëror përfaqëson një arritje të rëndësishme dhe shprehu shpresën për realizimin e ëndrrës së kualifikimit.

“Tani që jemi në play-off për Botëror, uroj që të arrijmë kualifikimin dhe të jemi pjesë e Kampionatit Botëror,” tha ai.

Ministri në detyrë vlerësoi edhe zhvillimin e kampionatit vendor, duke theksuar se niveli i garës është rritur dhe se kampionati është bërë më interesant dhe më konkurrues.

Një sukses të veçantë, Çeku e cilësoi paraqitjen e klubit FC Drita në garat evropiane, duke vlerësuar përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Paraqitja e FC Dritës ishte një sukses i veçantë, duke e përfaqësuar Kosovën me dinjitet në garat ndërkombëtare,” përfundoi Çeku.

Ademi: Viti 2025 ishte vit i suksesshëm

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në ceremoninë ‘Laureatët e vitit 2025, është shprehur i kënaqur me punën, rezultatet dhe të arriturat në vitin që po e lamë pas.

I pari i futbollit tonë, bëri të ditur se investimet në infrastrukturë po vazhdojnë me intensitet të lartë, duke theksuar se çdo 45 ditë po ndërtohet nga një fushë e re futbolli.

“Investimet në infrastrukturë nuk kanë ndalur. Çdo 45 ditë po përfundojmë nga një fushë futbolli, ndërsa Kampi Nacional në Leposaviq është një projekt i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit tonë,” ka deklaruar Ademi.

Presidenti i FFK-së ka njoftuar gjithashtu se në muajin janar do të nisë puna për themelimin e Akademisë së FIFA-s në Kosovë, ku do të përgatiten talentët më të mirë të vendit.

“Në këtë akademi do të zhvillohen dhe përgatiten talentët tanë më të mirë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për futbollin e Kosovës,” ka theksuar ai.

Duke folur për garat evropiane, Ademi vlerësoi lart sukseset e Dritës, duke i cilësuar ato si të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi faktin se Kosova tashmë ka katër ekipe që përfaqësojnë vendin në Evropë çdo vit.

“Fati deshi që Drita të sigurojë fazën e grupeve dhe shpresojmë që të shkojë sa më larg në garat evropiane,” u shpreh ai.

Ademi theksoi edhe avancimin në digjitalizim, duke bërë të ditur se FFK është ndër federatat e pakta në Evropë që ka përfunduar këtë proces.

“Federata e Futbollit të Kosovës është e digjitalizuar plotësisht. Vetëm ne dhe Federata Shqiptare e Futbollit e kemi të përfunduar këtë proces,” ka thënë Ademi.

Sa i përket infrastrukturës së stadiumeve, ai njoftoi se punimet po vazhdojnë në stadiumin “Adem Jashari”, si dhe në Drenas.

Në fund, presidenti i FFK-së foli edhe për Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se janë edhe dy hapa të rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës për kualifikim në Kampionatin Botëror.

“Te Kombëtarja na mbesin edhe dy hapa për të realizuar ëndrrën e madhe – kualifikimin në Botëror,” përfundoi Ademi.

Rrahmani: Shpresojmë se do ta bëjmë ëndrrën realitet

 Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, ka thënë se viti që po e lëmë pas, ka qenë një vit i suksesshëm për futbollin e Kosovës.

Rrahmani në një prononcim për RTK me rastin e Laureatët e Vitit 2025, mendon se kombëtarja jonë ka bërë punë të madhe në vitin 2025. Ai është i bindur se Kosova mund të bëjë endërrn realitet, kualifikimin në Kupën e Botës 2026.

“Besoj se kemi bere një punë ë madhe. Besoj se do ta bëjmë ëndrrën realitet”, ka thënë Rrahmani.

Ai është i bindur se kombëtarja jonë në mars mund ta bëjë hapin e madh, kualifikimin në Botërorin e ardhshëm.

Nis ceremonia Laureatët e vitit 2025

Ka nisur ceremonia Laureatët e vitit 2025 për shpalljen e më të mirëve nga Federata e Futbollit të Kosovës, event që do mund ta ndiqni drejtpërdrejt në RTK.

Në këtë ceremoni solemne do të ndahen çmimet kryesore për futbollistët, trajnerët, ekipet dhe gjyqtarët më të dalluar gjatë vitit, si dhe mirënjohje për kontributin e dhënë në zhvillimin e futbollit në vend.

Kjo ngjarje ka mbledhur figura të njohura të futbollit kosovar, përfaqësues të institucioneve, klubeve dhe mysafirë të ndryshëm.

FFK, përmes kësaj mbrëmjeje, do të vlerësojë punën, sukseset dhe angazhimin e të gjithë atyre që kontribuuan në zhvillimin dhe promovimin e futbollit kosovar gjatë vitit 2025.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka foliur për proesin e…