FGjK-ja, thirrje shtetit: Na krijo hapësirë, se kemi talent që përfaqësojnë Kosovën

04 mars 2019 | 14:29

“Për dy ditë me radhë, të shtunën dhe të dielën, Federata e Gjimnastikës e Kosovës ka mbajtur garat për femra dhe për meshkuj në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Garat e gjimnastikës çdo ditë e më shumë po bëhen më atraktive, me pjesëmarrje të shumë gjimnastëve e të gjimnasteve cilësore, mirëpo shqetësimi i tyre dhe i yni, njëkohësisht sfidë për gjimnastikën, pingpongun, sportet luftarake mbetet hapësira ku po ushtrohen këto sporte, në nënkatet e Pallatit të Rinisë, pa i plotësuar kushtet për stërvitje, aq më pak për organizim të garave”, është shkruar në llogarinë e FGjK-së në “Facebook” të cilën e drejton Besim Halilaj, duke bërë me dije se: “Tapeti gjimnastikor ka dimensionet 14 x 14 metra, ndërsa salla na mundëson shtrirjen e një të tretës së tapetit, e ku t’u bëhet vend pastaj veglave të tjera.

Është koha që bashkërisht, me organet kompetente, të bëjmë një zgjidhje afatgjatë që këto sporte, edhe gjimnastika, ta kenë vendin e merituar”, thuhet, ndër të tjera, në tekstin e publikuar në llogarinë e FGjK-së në “Facebook”.

I kontaktuar nga “Epoka e re”, kryetari Halilaj rreth kërkesës për krijimin e hapësirave, për të patuar suksese dhe për të arritur rezultate sportistët e këtyre fushave, ka dhënë këtë përgjigje: “Ministria e Kulturës, respektivisht Departamenti i Sportit, po edhe ato departamente të sportit në institucione të tjera, duhet të na ofrojnë ndonjë hapësirë më të madhe për shfrytëzim siç është, për shembull, Salla e Sporteve ‘1 Tetori’.

Aty mund t’i vendosim veglat sportive dhe hapësira është e mjaftueshme për të performuar, ushtruar dhe që më pas të jemi të përgatitur për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Po ashtu, duhet ditur se çdo sport e ka rëndësinë e vet nëse ka interesim dhe shikues, sepse sportin e mban gjallë shikueshmëria. Ndërsa garat që i organizojmë ne, shikuesit, në veçanti prindërit e garuesve, nuk kanë mundësi t’i përcjellin ata për shkak të hapësirave të vogla në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 60 pacientë që kanë nevojë për mjekim kurativ me…