Fillimi i punës i qeverisë, shumë i zbehtë

30 prill 2021 | 11:38

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë me dije se fillimi i punës së qeverisë Kurti është shumë i zbehtë. Ai ka vlerësuar se mungesa e planit qeverisës tregon se kjo qeveri nuk është premtuese.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka kritikuar qeverinë edhe për mosvendosje të drejtë të prioriteteve. “Fillimi i punës së kësaj qeverie është shumë i zbehtë. Nuk është premtues aspak. Në bazë të asaj që kemi parë deri më tani, po vërehen shumë vonesa dhe lëshime në drejtime të ndryshme. Gjithashtu, ajo që është vërejtur gjatë kësaj kohe ka qenë mosvendosja e drejtë e prioriteteve qeverisëse”, ka deklaruar Hamza.

Deputeti i PDK-së ka bërë me dije se kur një parti opozitare vjen në pushtet, planin qeverisës duhet ta ketë gati qysh në ditët e para. “Vonesa për sjelljen e planit qeverisës në Kuvend është dobësi e kësaj qeverie. Do të ishte mirë që ata me plan të vinin në qeveri, sepse kanë qëndruar gjatë në opozitë dhe është dashur ta kenë gati planin e tyre qeverisës. Ose të paktën në ditët e para të qeverisjes do të duhej ta prezantonin planin e tyre, ndoshta jo shumë të detajuar, por të paktën në vija të trasha. Kjo vonesë tregon një dobësi të qeverisë dhe një mungesë përkushtimi të saj”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë Hamza ka folur edhe për qasjen që PDK-ja do ta ketë ndaj dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se për këtë proces kjo parti kontributin e saj do ta japë në Kuvendin e Kosovës. “E thashë se PDK-ja do ta japë kontributin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi kurrfarë oferte konkrete në këtë drejtim, por në këtë situatë ne jemi parti opozitare dhe kontributin tonë do ta japim në Kuvendin e Kosovës. Pra, aty do ta mbrojmë interesin e Kosovës”, ka thënë Hamza.

 “Epoka e re”: Z. Hamza, ka kaluar një muaj qëkur qeveria Kurti ka marrë mandatin dhe ende nuk ka sjellë në Kuvend planin qeverisës. Si e keni parë këtë vonesë të qeverisë?
Hamza: Vonesa për sjelljen e planit qeverisës në Kuvend është dobësi e kësaj qeverie. Do të ishte mirë që me plan të vinte në qeveri sepse ka qëndruar gjatë në opozitë dhe është dashur ta ketë gati planin qeverisës ose, të paktën, në ditët e para të qeverisjes do të duhej ta paraqiste planin, ndoshta jo shumë të detajuar, por të paktën në vija të trasha. Kjo vonesë tregon një dobësi të qeverisë dhe një mungesë përkushtimi të saj.

 “Epoka e re”: Si do ta vlerësoni punën e deritashme të qeverisë?
Hamza: Për hir të korrektësisë, është periudhë e shkurtër për ta vlerësuar punën e qeverisë. Ndoshta qeveria ka nevojë për një kohë pak më të gjatë. Unë nuk jam prej atyre që bëj shumë temë një muaj të qeverisjes apo 100-ditëshin e qeverisjes, mirëpo indikacionet e para nuk janë shumë premtuese.

 “Epoka e re”: Z. Kurti ka ardhur në pushtet  me premtimin se prioritet kryesor do ta ketë çështjen e pandemisë. A po e përmbush ketë premtim?
Hamza: Deri më tani në këtë drejtim qeveria ka probleme substanciale. Kemi mungesë të programit, mosadresim të pandemisë dhe rreziqet që po i sjell kjo pandemi. Ne po ballafaqohemi me humbje të shumë jetëve të njerëzve dhe me rrezikimin e shëndetit të njerëzve. Gjithashtu, është një kosto e madhe e njerëzve dhe familjarëve të tyre që po përballem me virusin. Pastaj në aspektin ekonomik nuk po shoh se kjo qeveri është në drejtimin e duhur dhe po ndjek masat e duhura. Ka një mospërputhje mes asaj çfarë ndërmerr dhe si ndikon ajo në ekonomi. E kuptoj se pandemia ka efektin e vet, por shohim se vendet e tjera, sidomos vendet e rajonit, e kanë trajtuar më ndryshe dhe më mirë pandeminë.

 “Epoka e re”: Kritikat kryesore ndaj kësaj qeverie kanë të bëjnë me mossigurimin e vaksinës. A ka mundur të bëjë më tepër qeveria në këtë drejtim?
Hamza: Nëse të gjitha vendet e Evropës dhe të rajonit kanë bërë më shumë dhe kanë siguruar vaksinat, dikush më shumë e dikush më pak, sigurisht se kjo qeveri ka mundur të bëjë më tepër. Mjetet i ka në buxhet për ta bërë një gjë të tillë. Në bazë të këtyre fakteve po del se faktori njeri është problemi. Kur vendet e rajonit kanë mundur të bëjnë kontrata me kompani të ndryshme për sigurim të vaksinave, këtë gjë ka mundur ta bëjë edhe Kosova. Deri më tani ne kemi pranuar një kontingjent shumë simbolik të vaksinave dhe ai është donacion i COVAX-it.

 “Epoka e re”: Në bazë të asaj që keni parë deri më tani, cilat janë pritjet tuaja për këtë qeveri?
Hamza: Fillimi i punës së kësaj qeveri është shumë i zbehtë. Nuk është premtues aspak. Në bazë të asaj që kemi parë deri më tani, po vërehen shumë vonesa dhe lëshime në drejtime të ndryshme. Gjithashtu, ajo që është vërejtur gjatë kësaj kohe ka qenë mosvendosja e drejtë e prioriteteve qeverisëse.

“Epoka e re”: Si do të duhej të vendoseshin prioritet, sipas jush?
Hamza: Prioritet kryesor do të duhet të ishte trajtimi i pandemisë, sigurimi i vaksinave dhe rimëkëmbja ekonomike. Natyrisht se nuk do të duhej të mungonte edhe adresimi i prioriteteve të tjera. Gjithashtu, politika e jashtme do të duhej të merrej shumë seriozisht.

 “Epoka e re”: Tani jemi në prag të vazhdimi të dialogut me Serbinë. Çfarë pritni prej kësaj qeveri në këtë proces?
Hamza: Në fakt, dialogu veç po ndodh. Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, punë tjetër nuk kanë përveç dialogut Kosovë – Serbi.  Pra, takimet e institucioneve të Kosovës janë duke ndodhur me z. Lajçak dhe z. Borell. Ata sigurisht nuk bisedojnë për ambientin, por për dialogun në mes të dy vendeve.

 “Epoka e re”: BE-ja ka bërë me dije se shumë shpejt mund të ndodhë takimi i parë Kurti – Vuçiq. Sa besoni se është e përgatitur qeveria për këtë proces?
Hamza: Këta po thonë se kanë nevojë të përgatiten për dialogun, mirëpo këta është dashur të jenë të përgatitur për këtë proces. Pra, është dashur të jenë të përgatitur e jo kur të vijnë në qeveri me pa se çfarë duhet të bëjnë. Në qeveri vihet për të punuar dhe për të dhënë rezultate dhe jo për të mësuar se çfarë duhet për të bërë.

“Epoka e re”: Cili do të jetë qëndrimi i PDK-së për procesin e dialogut?
Hamza: Ne do ta japim kontributin tonë në Kuvendin e Kosovës.

 “Epoka e re”: Kryeministri ka thënë se për këtë proces Kosovës i duhet një konsensus nacional. Nëse do të keni ofertë nga qeveria, mund të përfshihet PDK-ja në këtë proces?
Hamza: E thashë se PDK-ja do ta japë kontributin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi kurrfarë oferte konkrete në këtë drejtim, por në këtë situatë ne jemi parti opozitare dhe kontributin tonë do ta japim në Kuvendin e Kosovës. Pra, aty do ta mbrojmë interesin e Kosovës.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka ka thënë se…